Lajme

Shala thotë se KEK-u është duke pasur rënie, pyet se kush duhet të jap përgjegjësi


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Kosovës se përse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është duke pasur rënie.

“Nga 105.1 milion euro fitim në vitin 2022, ka rënie për 91.9 milion euro në vitin 2023. Ky fitim minor prej 13.2 milion euro, që është përgjysmë më i ulët edhe së në vitin e pandemisë 2020?”, ka shkruar Shala në rrjetin social ‘Facebook’.

Tutje, ai ka shtuar se “a ka llogaridhënie dhe kush duhet të jap përgjegjësi?” duke thënë se “për cilën performancë është duke folur ministrja e Ekonimisë dhe Qeveria?”.

Shala, ka publikuar të dhënat dhe shifrat e bazuara në raportin vjetor të KEK-ut, për vitin 2023.

Më 2 prill, në mbledhjen e mbajtur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ishte liruar çmimi i energjisë elektrike për 8 për qind për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh.

Vendimin e kishte miratuar bordi i ZRRE-së, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë nga 1 prilli.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen e bordit ka deklaruar se kjo kishte ndodhur për shkak se importi me shumicë i energjisë elektrike ka pasur zbritje.

Nga 1 prilli i 2023-ës qytetarët në Kosovë kishin nisur t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa 3.34 centë gjatë natës.

E në dhjetor faturat sërish kishin pësuar rritje pa paralajmërim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore