Lajme

Blinken luan kartën saudite


Ose Riadi ose Rafahu.

Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit, mbërrin sot në kryeqytetin saudit dhe me liderë të tjerë ndërkombëtarë diskuton situatën në Gaza dhe në qytetin drejt kufirit me Egjiptin.

Nuk ka gjasa që ai ta shprehë aq troç.

Thomas Friedman në një koment në “New York Times” përcakton udhëkryqin në të cilin do të gjendej kryeministri, Benjamin Netanyahu.

Një rrugë të çon në pushtimin e kilometrave të fundit katrorë të Rripit, tjetra te normalizimi me monarkinë e Gjirit.

Kolumnisti është gjithmonë i mirëinformuar mbi opinionet dhe strategjitë e Shtëpisë së Bardhë dhe paralajmëron se presidenti, Joe Biden, mund të vendosë të kufizojë furnizimet e disa armëve, nëse Izraeli vazhdon me inkursionin në çdo rast.

Vetë Blinken, para udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme, shpjegoi për “CNN” se një projekt për hapjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy kombeve “mund të përgatitet edhe përpara armëpushimit së bashku me një plan që çon në lindjen e një shteti palestinez”.

Në Riad ndërhyn edhe presidenti Abu Mazen, i cili sipas amerikanëve duhet të marrë kontrollin e Gazës në fund të konfliktit.

Lëvizjet e Bibit

Netanyahu vazhdon të kundërshtojë, ai është tani në fushatë zgjedhore – ai e di se do të mposhtet – dhe dëshiron të paraqitet si lider i së djathtës që kundërshton kthimin e Autoritetit Palestinez.

Inxhinierët e ushtrisë, siç tregohet në fotot e marra më 18 prill nga satelitët e Planet Labs, po ndërtojnë struktura gjysmë të përhershme në Rrip.

Qeveria shpalli – gjithmonë në kontrast me Shtetet e Bashkuara – se dëshiron t’i mbajë trupat brenda të ashtuquajturit korridori Netzarim për një kohë të gjatë.

Video te reja

Ka baraka dhe zona për kontrollin e popullsisë, nëse politikanët dhe shtabi i përgjithshëm vendosin të lejojnë të zhvendosurit të kthehen në veri.

Baza detare duket jo shumë larg zonës ku po përgatitet skela për mbërritjen e ndihmave humanitare të shkarkuara në molin lundrues që po ngrenë amerikanët.

Blinken do të trajtojë gjithashtu negociatat për një pauzë në luftime.

Një shef i Hamasit shpjegoi se grupi po studion propozimin e ri të armëpushimit në këmbim të lirimit të të paktën 33 pengjeve duke përfshirë gra, të mitur, të moshuar dhe të sëmurë, por paralajmëron se kërkesat kryesore mbeten armëpushimi i përhershëm – gati 35 mijë palestinezë u vranë – dhe tërheqja totale e Izraelit.

Rrëmbyesit vazhdojnë strategjinë e ankthit për familjet dhe të luftës psikologjike duke shfaqur videot e reja të dy pengjeve: Keith Siegel, shtetas amerikan, u mor me makinën e tij më 7 tetor nga kibuci Kfar Aza së bashku me gruan Aviva, e liruar në fund të nëntorit të kaluar.

Ai është i rraskapitur dhe shpërthen në lot.

Në një video tjetër shfaqet Omri Miran, i cili thotë se ka 202 ditë i burgosur.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore