Shqipëria

Balla: 900 mijë pasagjerë më shumë në Rinas se vitin e kaluar, shtojmë 100 efektivë


Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se për shkak të fluksit, do duhet të shtohen edhe 100 punonjës Policie në aeroportin e Rinasit.

Në një aktivitet për sigurinë në turizëm, Balla u ndal edhe në shifra duke thënë se Rinasi raporton 900 mijë pasagjerë më shumë se viti i kaluar.

“Shifra do shkojë përtej çdo pritshmërie apo parashikimi. Bashkë me policinë do na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e fluksit. E nisa fjalën me këto shifra nga Rinasi, pro në fakt i njëjti trend rritje raportohet në pikat e kalimit kufitar. Shifrat e 4 muajve të parë të 2024 shërbejnë për të treguar se turizmi në Shqipëri po bëhet vjetor dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm”, vijoi Balla.

Balla theksoi se Policia ka gati një plan masash për sigurinë e turistëve që do shtrihet në gjithë vendin. Balla tha se do të shtohen edhe gjashtë stacione policie shtesë në zonat më të frekuentuara, si Thethi, Valbona, Ksamil, Tale.

“Në Koman do ketë njësi shërbimi 24 orë”.

Balla theksoi se viti 2023 është mbyllur me “zero incidente fatale kriminale për turistët e huaj, na duhet të bëjmë gjithçka që këtë arritje të madhe ta rikonfirmojmë edhe gjatë 2024”.

“Vizioni ynë Shqipëria2030 ka në themelin e vet pikërisht pakthyeshmërinë e progresit të arritur në çdo fushë: Shqipëria kampione Ballkanit në turizëm me një siguri në nivelin më të lartë. Policia e Shtetit ka gati një Plan të Madh masash, i cili shtrihet në gjithë territorin, e që ndërthuret me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe partnerët e qeverisjes vendore”.

Gjatë këtij sezoni turistik, thotë Balla, do të angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe në total 1635 punonjës policie, nga të cilët 362 punonjës policie të sektorit të rendit publik, 73 punonjës policie sektori për krimet, 100 punonjës të policisë rrugore, 185 punonjës policie të Njësive të SOS, si dhe 912 punonjës policie të kufirit dhe migracionit.

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu thotë se 24 Qendra Shëndetësore sezonale do të shërbejnë përgjatë sezonit turistik. Këtë vit do hapen edhe 4 qendra të reja më shumë se një vit më parë, ndërsa për herë të parë do të shërbejnë edhe motoambulanca.

Ministrja tha se ka nisur procesi i dezinsektimit nga Shkodra dhe do shtrihet në gjithë vendin.

“Do hapim 34 qendra shëndetësore sezonale, 4 më shumë se vitin e shkuar, të shpërndara në gjithë Shqipërinë dhe në zona kyçe ku kemi fluks turistësh. 10 QSH në veri, 15  në jug dhe 9 në Shqipërinë e mesme. Fillojnë funksionimin nga 1 qershori deri në 30 shtator. Po përfundojmë rekrutimin e punonjësve të shëndetësisë që do punojnë 24/7 për të gjithë qytetarët dhe turistët. Rreth 200 mjekë dhe infermierë që do punësohen. Do shërbejnë edhe motoambulanca, që shmangni trafikun dhe shkurtojnë kohën e marrjes së ndihmës së parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore