Lajme

Kosova refuzoi “zgjidhje afatgjatë” nga Escobari për dinarin, preferon “kompromis të negociuar” nga Lajçaku


Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pas ciklit të takimeve të pasuksesshme që u zhvilluan të enjten e javës së kaluar në Bruksel të Belgjikës, deklaroi se në takimet e radhës pret nga të dy palët “komente konstruktive” mbi “kompromisin e propozuar” për zgjidhjen e krizës së dinarit serb.

Lajçaku takoi më 25 prill kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë qarkullimin e dinarit brenda territorit kosovar, i cili përdoret në masë të madhe nga pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të vendit.

Sidoqoftë, sa u përket propozimeve për zgjidhjen e nyjes, ndonëse rreth një muaj më parë autoritetet kosovare hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për “zgjidhje afatgjatë” të problemit, propozimin e Lajçakut për “zgjidhje të përkohshme” zyrtarë të lartë e cilësuan “bazë të mirë” për t’i vazhduar negociatat në kuadër të dialogut.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i delegacionit kosovar, tha pas takimeve se Serbia pati “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së dinarit, ndërsa propozimin e Lajçakut për “zgjidhje të përkohshme” e cilësoi “konstruktiv” dhe sëkëndejmi, vlerësoi se shkon në “rrugë të duhur” drejt gjetjes së zgjidhjes përmes kompromisit të negociuar.

“Mund të them se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, i cili shkon në drejtimin e duhur, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme. Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajizuar sesa propozimi i javës së kaluar”, nënvizoi mes tjerash ai.

Por këtë gatishmëri për të pranuar propozime për kapërcimin e çështjes së dinarit serb dhe zbutjen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, autoritetet kosovare nuk e patën kur SHBA-ja ofroi mbështetje dhe zgjidhje, duke e bërë të qartë se asnjëherë s’e sfidojnë autoritetin e institucioneve të Kosovës apo BQK-së për të rregulluar sektorin financiar në të gjithë territorin.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në mars të këtij viti, gjatë vizitës në Prishtinë, njoftoi se nuk arriti ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe, derisa palët të gjejnë një “zgjidhje afatgjatë” që ndër të tjera përfshin transferimin elektronik të eurove brenda sistemit monetar të Kosovës.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne – SHBA-ja, BE-ja dhe Qeveria e Kosovës – punojmë për një zgjidhje afatgjatë, që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur kryeministrin për këtë”, deklaroi Escobari.

E ky rast ofroi edhe një mundësi të volitshme për autoritetet kosovare që të tregonin edhe njëherë “zotësinë” që, nëpërmjet “konsistencës kundërshtuese” në diskurs dhe veprime, t’i “torturonin” diplomatët amerikanë – një politikë kryeneçe që e ktheu Kosovën – sërish – në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB).

Mosbindja e Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të SHBA-së erdhi në një kohë kur marrëdhëniet midis autoriteteve kosovare dhe administratës amerikane janë në gradën e fundit. Escobari u largua me shpresën se ekzekutivi kosovar do të tregohet “fleksibile” në diskutimet për dinarin. Dhe Kosova dëshmoi fleksibilitet, por jo në bazë të udhërrëfyesit amerikan.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë më 13 maj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore