Lajme

Paralajmërimi i Bislimit për luftë korrigjohet nga mediumi ukrainas


Një deklaratë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në platformën ukrainase të lajmeve “European Pravda” mbi mundësinë e një lufte të mundshme, ndonëse u botua më 26 prill, teksti u ndryshua këtë të hënë (29 prill) pas shpërndarjes së madhe në mediat kosovare.

Duke komentuar për platformën ukrainase të lajmeve mbi ngjarjet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, posaçërisht rreth sulmit të armatosur të paramilitarëve serbë në fashtin Banjë të Zveçanit vitin e kaluar që acaroi më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri kosovar paralajmëroi: “Ne duhet të jemi gati për luftë”.

Artikulli i “European Pravda” në original

“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani sepse ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, ashtu siç tregoi shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, u citua të ketë thënë ai në këtë intervistë.

Derisa veçoi kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë që vijnë nga Serbia, ai paralajmëroi për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve dhe përfshirjen e dy vendeve në një konflikt, ndonëse shtoi se gjasat e një lufte konvencionale të armatosur janë të ulëta për shkak të pranisë së Forcës së NATO-s (KFOR). Por, kjo pjesë është hequr komplet nga teksti origjinal.

Kjo është pjesa e zëvendësuar e deklaratës: “Nëse i shikoni zhvillimet në Serbi, gjithmonë duhet të llogarisni në një konflikt të mundshëm dhe ekzistojnë elemente që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Ne jemi gjithmonë vigjilentë, por llogarisim në skenarin më të keq. Prania e KFOR-it në Kosovë mund t’i pengojë tensionet në një të ardhme të afërt…”.

Bislimi: Duhet të jemi gati për luftë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore