Kosova

Eksperti amerikan: E mbështes Kosovën që të kërkojë informacione për projektin e gazit


Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, ka dalë në përkrahje të Kosovës lidhur me kërkimin e informatave shtesë për projektin e gazsjellësit.

Alon Ben Meir përmes një postimi në “Twitter” ka thënë se mbështet këtë vendim të Kosovës.

“Unë mbështes vendimin e Kosovës për të kërkuar informacion shtesë mbi projektin e infrastrukturës të mbështetur nga@MCCgov që do ta lidhë Kosovën me gazsjellësin ekzistues me Maqedoninë e Veriut. Kosova duhet të vlerësojë projektet e jashtme dhe ndikimin e tyre”, shkroi ai.

Më 30 shtator, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

Ndërsa, më 18 shtator, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin.

Ajo shtoi se për këtë çështje nuk ka refuzim, por vetëm është çështje e cila është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante.

“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në maj të këtij viti, Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka shfaqur interesim për të dialoguar me qeverinë e Kosovës për projektin e gazpërçuesit Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë, por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta shtyrë atë përpara.

Ndryshe, ndërlidhja e Kosovës me tubacionin e gazit që kalon në Greqi – Maqedoni të Veriut është një nga projektet e përfolura energjetike të Kosovës, si dhe një ndër opcionet për të ardhmen energjetike të vendit.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore