Kosova

Diaspora në Zvicër – Hamza: Një shtyllë e pamohueshme ekonomike


Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, derisa njoftoi në “Facebook” për një vizitë të realizuar në Zvicër të dielen, deklaroi se diaspora kosovare është shtyllë e pamohueshme ekonomike dhe mbështetës të rrugës evropiane të Kosovës.

“Të rinj e të reja dhe familjarë që lanë Kosovën në rrethana të ndryshme, duke u ndarë në dysh me pjesën tjetër për një jetë më të mirë, sot janë zëri ynë në botë, janë edhe shtyllë e pamohueshme ekonomike dhe mbështetës në rrugën e pakthyeshme evropiane të Kosovës”, shkroi Hamza.

Ndryshe, remitencat nga diaspora vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare dhe luajnë rol mjaft të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës, duke shënuar rritje vit pas viti. Paratë e diasporës vijnë në Kosovë kryesisht nga Gjermania, Zvicra, Austria dhe Suedia, por edhe shtete të tjera.

E vizita e kryetarit aktual të komunës së Mitrovicës vjen në një kohë kur partitë politike veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja – mandati katërvjeçar i ekzekutivit aktual përfundon në shkurt të vitit 2025 – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përgjatë këtij viti nuk mund përjashtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore