Kosova

Perez: Orbani do të sakrifojë Kosovën për të mbajtur afër Serbinë


Viktor Orban dhe Aleksandar Vuçiç

Alejandro Esteso Perez, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, duke komentuar rreth politikës së jashtme hungareze, konsideroi se pavarësisht marrëdhënieve realitivisht të mira midis Kosovës dhe Hungarisë, kjo e fundit pritet të anojë nga Serbia në të ardhmen, duke rrezikuar interesat e shtetit të Kosovës.

Përderisa Hungaria e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo nuk ofron të njëjtin nivel të mbështetjes politike sikurse vendet e tjera që e njohin shtetin e vogël ballkanik. E përveç pesëshes evropiane – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – që refuzojnë ta njohin Kosovës, shteti hungarez nën kryeministrin Viktor Orban mban qëndrimin më të ashpër ndaj vendit.

“Në kontekstin aktual gjeopolitik, dikush mund të pyesë veten se si do të funksionojë në të ardhmen boshti strategjik i Hungarisë midis Beogradit dhe Prishtinës. Megjithatë, disa raste të zhvillimeve diplomatike gjatë 15 muajve të fundit kanë nxjerrë në pah shenjat se në mënyrë që Serbia të ngrihet, kryeministri Orban mund ta lejojë Kosovën të bjerë”, theksoi ai.

Në kohën kur Kosova angazhohet në dy procese paralele për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE) dhe Këshillin e Evropës (KiE), në dritën e zotimit të ministrit hungarez Peter Szijjárto ndaj Serbisë në janar 2023, duhet të merret parasysh mundësia që Hungaria të mund të miratojë një qëndrim konsistent dhe të votojë në mënyrë të përsëritur kundër Kosovës.

“Përdërisa Kosova gradualisht i afrohet anëtarësimit të plotë në KiE është bërë e qartë se Hungaria është e gatshme të durojë zemërimin diplomatik të Kosovës për të mos e dëshpëruar Serbinë. Përpara hapave të ardhshëm të Kosovës drejt KiE-së dhe BE-së, shteti hungarez pohon se vendit do t’i duhet të rregullojë marrëdhëniet me Serbinë përpara integrimeve evropiane”.

“E ndërsa raportet midis Hungarisë dhe Serbisë – lidhja më e fortë – do të lulëzojnë në një sferë ndërkombëtare të autoritarizmit në rritje, shteti i Kosovës – lidhja më e dobët – është e detyruar të luftojë për më shumë mbështetje nga demokracitë e BE-së”, potencoi Perez, i cili shtoi se nëse demokracitë e BE-së nuk rritin ambiciet, do të konsolidohet iliberalizmi.

Nga 1 korriku 2024, hungarezët do ta marrin presidencën e radhës të Këshillit të BE-së për një periudhë gjashtëmujore. Duke pasur parasysh trashëgiminë kontraverse të Orbanit në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shumë liderë të BE-së shprehen të shqetësuar për presidencën e Hungarisë që pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore