Lajme

Osmani: Kosova duhet të bashkëpunojë me SHBA-në për projektin e gazsjellësit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se sa i përket aspektit gjeopolitik, Kosova nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin.

“Në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në”, kështu është përgjigjur Osmani për DeutcheWelle kur është pyetur se pse ka refuzim nga ana e Kosovës për një iniciativë të tillë që ka përkrahjen amerikane.

Ajo shtoi se për këtë çështje nuk ka refuzim, por vetëm është çështje e cila është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante.

“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje”, ka thënë Osmani.

Po ashtu, ajo potencoi se afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC sa i përket këtij rasti.

“Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit”.

Sipas Osmanit, “ministritë përkatëse për këtë çështje duhet të merren me ndërtimin e pipeline-it, me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë etj”.

Kosova në bisedime me MCC-në për ndërtimin e gazsjellësit

Por, që e arsyeton edhe atë që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera.

“Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale”, potencoi presidentja Osmani.

Ndërkaq, e pyetur se a përkrah projektin për gazsjellësin Osmani ka thënë se ky është vendim që duhet ta marrë Kosova.

“Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit”.

Ajo shtoi se, “nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”.

Të premten, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se s’mund të vendosin për gazsjellësin pa e ditur koston totale.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, ka thënë Rizvanolli.

Në maj të këtij viti, Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka shfaqur interesim për të dialoguar me qeverinë e Kosovës për projektin e gazpërçuesit Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë, por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta shtyrë atë përpara.

Ndryshe, ndërlidhja e Kosovës me tubacionin e gazit që kalon në Greqi – Maqedoni të Veriut është një nga projektet e përfolura energjetike të Kosovës, si dhe një ndër opcionet për të ardhmen energjetike të vendit.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore