Lajme

Rashiç beson se Qeveria do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese para anëtarësimit në KiE


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Qeveria e Kosovës ta dërgojë draft-statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Besoj që po, edhe pse nuk kam informacione, si pjesmarrës të Këshillit të Evropës e kemi obligim fuqizimin e implementimit të ligjeve. Asociacioni është marrëveshje ndërkombëtare, e cila ka një peshë më të madhe sesa ligjet lokale”, ka thënë ai në një intervistë për Dukagjinin.

Asociacioni, sipas Rashiç, është obligim i Kosovës.

“Prandaj sa më shpejt që do të veprojmë në këtë drejtim aq më shpejt do të jemi pjesë e Këshillit të Evropës”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Të martën, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore