Lajme

Taravari, simpatizantëve të “VLEN-it: Pata ofertë nga Ahmeti, zgjodha të jem me ju – bashkëpartiakët e mi s’munden ta refuzojnë


Në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale që po mbahet në sheshin “Iliria” në Tetovë, ish-kandidati për president të Maqedonisë së Veriut dhe njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, ka thënë se kishte ofertë nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, për t’iu bashkuar “Frontit Evropian”, por theksoi para simpatizantëve se “unë zgjodha të jem me ju”.

“Pata ofertë nga Ali Ahmeti, ofertë të cilën disa bashkëpartiakë të mi nuk munden ta refuzojnë. Por unë zgjodha të jem me ju dhe jam krenar që e kam bërë këtë zgjedhje dhe gëzuar fitorja. Kjo fushatë ishte e paharrueshme”, tha Taravari.

“Ju kemi lodhur me fushatë, por kur ta bëjmë qeverinë mbas dy tre ditëve do të vrapojmë edhe më shumë se sa në fushatë, nuk do të rehatohemi nëpër karrige. Më 8 maj e festojmë fitoren historike të shqiptarëve, na priftë e mbara”, shtoi.

Ndryshe, Taravari, këtë të hënë është takuar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoskin.

Por, ende nuk dihet nëse kreu nacionalist i opozitës maqedonase ka kërkuar mbështetje për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq në një anketë të realizuar mes 29 dhe 30 prillit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” zbuloi se rreth 70 për qind e respodentëve shqiptarë do të votojnë për koalicionin “Fronti Evropian” në zgjedhjet parlamentare.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, zgjedhjet pritet të fitohen nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka një qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore