Lajme

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?


Foto nga Albanian Post

Qeveria e Kosovës është pajtuar parimisht me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që do ta marrë me 16 prill kur Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës do të votojë pozitivisht për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë, atëherë deri me 10 maj Kosova e dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç ka kuptuar Albanian Post nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

Kjo është paraqitur edhe në pikat e raportit të raportueses Dora Bakoyannis ku thuhet se Kosova duhet “të marrë hapa substancial dhe të prekshëm për të zbatuar të gjithë artikujt e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky hap “substancial” dhe “i prekshëm” do të jetë pikërisht dërgimi i draftit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Se Kosova do të ndërmarrë hapa “substancial” dhe “të prekshëm” u bë e qartë edhe në letrën e 22 marsit kur Kryeministri, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i thanë raportueses Bakoyannis se do t’i zbatojnë të gjitha kërkesat që ajo i ka renditur në raport.

“Do të donim të shfrytëzonim këtë mundësi t’iu informojmë se ne besnikërisht do t’u qëndrojmë listës së angazhimeve/kushteve të dhëna në Apendiksin 1 të letrës tuaj të 21 marsit 2024 për bërjen e Kosovës shtet anëtar në Këshillin e Evropës”.

Në fund të letrës janë të vendosura edhe tri nënshkrimet e tre liderëve institucionalë.

Se a do të dërgohet draft statuti i Asociacionit nga qeveria deri me 10 maj, ashtu siç ka marrëveshje parimisht, mbetët të kuptohet vetëm pasi të përfundojë ky veprim si procedurë.

Por, mos dërgimi në anën tjetër, vështirë se do t’i ofrojë Kosovës shans për anëtarësim në KiE, meqë mund të mos votohet në Komitetin e Ministrave, pikërisht për shkak të mos qëndrimit ndaj zotimeve të marra paraprakisht.

Ajo që dihet dhe është lexuar nga raporti i politikanes greke për Këshillin e Evropës, Kosova do të jetë shteti i parë që anëtarësohet në KiE për shkak të çështjes së sigurisë së minoritetit serb, ndryshe nga shtetet tjera që janë anëtarësuar për cështje të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Kështu është thënë në këtë raport, meqë aty argumentohet se serbëve, për të aplikuar të drejtat e tyre, u duhet me patjetër ky organizëm.

Nëse Qeveria e dërgon draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese, atëherë procedurat për anëtarësim në KiE vazhdojnë dhe në ndërkohë pritet vendimi i Kushtetueses për draftin e Asociacionit.

Se çfarë ndodhë më pas varet nga vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese, porse – për kujtesë – siç thuhet edhe në vendimin e vitit 2015 “Asociacioni duhet të themelohet”, por vetëm mbetet të kuptohet se i çfarë forme do të jetë ai.

Nga sa është parë drafti i propozuar nga BE, ai përveçse është kritikuar nga pothuajse të gjithë juristët që e kanë komentuar publikisht, një pjesë e tyre e kanë quajtur edhe si “kushtetutë materiale” që i bën paralele asaj të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe vetë zyrtarët e Kosovës e kanë komentuar propozimin e BE-së si jo kushtetuese, apo si një dokument që në pamje të parë vërehet që nuk është në frymën dhe në germën e Kushtetutës së Kosovës, e cila edhe ashtu është tejet gjeneroze në raport me pakicat në Kosovë.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët e kanë mbrojtur draftin e propozuar nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar që ai të mos komentohet publikisht, derisa të ketë një vendim final nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse dërgohet, ashtu siç është paraparë, kjo do të përbëjë herën e parë që procedura shkon deri në këtë fazë ku Kosova ka draft-statut që e pret për zbatim.

Në vitin 2015 ishte dërguar në formë të pyetjes nga presidentja Atifete Jahjaga dokumenti që përmbante Parimet e Përgjithshme, derisa Marrëveshja e vitit 2013 asnjëherë nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, por është votuar në parlament dhe përkthyer si ligj i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore