Shqipëria

Mbytja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, Balla: RENEA vijon kërkimet, dyshime të forta për dhunë në familje


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna.

Balla thekson se njësia e specializuar e RENEA-s dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna.

Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve”, shkruan Balla në reagimin e tij.

Ai shprehet se “ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë”.

“Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”.

Edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar e tronditur për ngjarjen e rëndë.

“Thellësisht e tronditur dhe pafundësisht e trishtuar për humbjen e katër jetëve të pafajshme në ujërat e Bunës. Tre engjëj dhe nëna e tyre kanë humbur jetën në mënyrën më makabre. Dyshimet janë se dhuna e bashkëshortit dhe babait të familjes i ka çuar drejt vdekjes”.

Ajo kërkoi që fenomeni i tmerrshëm i dhunës ndaj grave që plagos shoqërinë dhe shtetin, duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim.

“Lufta ndaj kësaj dhune që merr dhe sakaton jetë grash dhe fëmijësh, duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare”.

Ndërkaq, hetime të thelluara të Policisë kanë nxjerrë në pah detaje të reja tronditëse nga një ngjarje tragjike në Shkodër.

Siç ka raportuar më parë Albanian Post, nëna dhe tre fëmijët e saj janë raportuar si të zhdukur tre ditë më parë, teksa më 4 prill, një peshkatar ka gjetur trupin e një fëmije të mitur, me shenja dhune në fytyrë.

Kallëzimin për zhdukjen e kishte bërë babai i familjes, 31-vjeçari Ergys Arrazi. Mirëpo, dyshime të forta se pikërisht dhuna e tij ka shtyrë katër anëtarët e familjes në vetëvrasje, e kanë çuar në pranga atë.

Kështu ka njoftuar vetë Policia e Shtetit.

Sipas njoftimit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon ndërkaq intensivisht punën për gjetjen e tre shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore