Kosova

Qeveria e interesuar për një legjitimitet të ri popullor para zgjedhjeve në SHBA, thotë Kusari – Lila


Mimoza Kusari - Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës ka shprehur interesimin të diskutojë me partitë opozitare në Kosovë për një legjitimet të ri popullor para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat pritet të mbahen në nëntorin e këtij viti.

“Pozita jo domosdoshmërisht ka insistuar në zgjedhje, por ka shprehur gatishmërinë të bisedojë duke marrë parasysh edhe disa procese të tjera që në aspektin gjeostrategjik ndërlidhen me proceset brenda Kosovës, pra janë zgjedhjet në Bashkimin Evropian për Parlamentin Evropian janë zgjedhjet presidenciale në SHBA-të”, thotë ajo në një intervistë për agjencinë e lajmeve, KosovaPress.

“Në pjesën e vjeshtës mund të kemi një qeveri në kohën kur edhe Komisioni Evropian ka strukturat e reja apo edhe para zgjedhjeve në SHBA-të, kjo në vijat e trasha ka qenë diskutimi”, ka shtuar ajo.

Megjithatë sipas saj partia në pushtet nuk do të pranojë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovë – siç e do Partia Demokratike e Kosovës – derisa të gjitha partitë opozitare nuk pajtohen për një gjë të tillë.

“Mazhoranca nuk do të pranojë të votojë  për shpërndarjen e legjislaturës së tetë pa unifikim të opozitës, madje këtë gjë e kemi bërë të ditur edhe PDK-së”, shton ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, potencoi se enjtja e 30 majit do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Sipas tij nëse deri më 30 maj nuk arrihet koordinimi për shpërndarjen e Kuvendit humbet mundësia që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik.

AAK me rezolutë në Kuvend: Shkarkimi ose dorëheqja e Kurtit, pastaj shpërndarja e Kuvendit

Por, sipas Kusari – Lilës, javën e ardhshme nuk do të ketë asgjë të jashtëzakonshme dhe se Kuvendi do të vazhdojë punën normalisht.

“Nisma për shpërndarje të Kuvendit me vetëm kërkesën e PDK-së nuk mund të jetë e garantuar të ketë sukses”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte opozitari i vetëm i cili pranoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për takim më 13 maj ku mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë tema kryesore.

Ftesën e Kurtit për këtë takim e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Si LDK ashtu edhe AAK argumentuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

Sipas tyre kërkesa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është e pakuptimtë.

PDK po punon që ta bindë LDK-në dhe AAK-në për të shkuar në zgjedhje të parakohshme sipas formulës së shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Madje për këtë çështje kryetari Krasniqi, të premten, i dërgoi letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ku argumentonte se pse zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen më së largu më 30 qershor ose 7 korrik.

Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut dhe Haradinajt për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore