Kosova

Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut dhe Haradinajt për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme


Foto nga Albanian Post

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, u ka dërguar letër kryeministrit, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku e ka theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo u bë e ditur nga vetë Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se Kurtit, Abdixhikut dhe Haradinajt ja ka ripërsëritur qëndrimin e partisë që ai e udhëheqë për zgjedhje të parakohshme, derisa si data të përshtatshme për këtë i ka propozuar 30 qershorin dhe 7 korrikun.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”, shkroi Krasniqi.

Kosova dhe qytetarët, në vlerësimin e liderit të opozitës, kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar”, shtoi.

Propozimi i PDK-së, siç ka treguar Krasniqi, që zgjedhjet e reja të mbahen më 30 qershor ose më 7 korrik është për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, “për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj”.

“Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, përfundoi ai.

Kjo letër e Krasniqit vjen në një kohë kur kryeministri Kurti është duke u takuar me partitë politike parlamentare në vend, si me ato të opozitës – ndonëse një pjesë e tyre e kanë refuzuar – ashtu edhe ato që i ka në koalicionin qeverisës, për të diskutuar për zgjedhjet e reja.

Në këtë drejtim kishte qenë letra që Kurti u kishte bërë liderëve të opozitës, pra Krasniqit, Haradinajt dhe Abdixhikut, për një takim më 13 maj.

Mirëpo, kësaj ftese i ishte përgjigjur vetëm PDK-ja, për çka është kritikuar ashpër nga njohës të çështjeve politike në vend, por edhe nga kolegët e tyre në opozitë, të cilët e kishin parë këtë si një tregues për një bashkëpunim të mundshëm mes këtyre dy subjekteve politike në të ardhmen.

Në kushtet normale, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025, mirëpo ka gatishmëri si nga pozita, ashtu edhe nga opozita që të njëjtat të organizohen më herët.

Por, dallimet për mënyrën se si të bëhet kjo e kanë krijuar një situatë që ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Pushteti dhe PDK-ja janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërndarjes së kuvendit, ndërsa LDK dhe AAK kërkojnë që një gjë e tillë të bëhet përmes dorëheqjes së Kurtit, ose mocionit të mosbesimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore