Shqipëria

SPAK vijon të mbetet institucioni më i besuar nga shqiptarët, partitë politike të fundit


Prokuroria e Posaçme SPAK ka vijuar të mbetet institucioni shqiptar më i besuar nga qytetarët.

Këto janë të dhënat e publikuara nga Barometri në Euronews Albania, ku tregohet ndër të tjera edhe mungesa tërësore e besimit te partitë politike, të cilat radhiten të fundit.

Besimin më të lartë në tërësi e ka Ambasada Amerikane, nëse në ekuacion futen edhe institucionet e huaja, ku 40.5% e shqiptarëve i besojnë selisë diplomatike të Washingtonit në Tiranë.

Nga ana tjetër, delegacioni i Bashkimit Evropian radhitet i dyti, ku ka një besueshmëri prej 35.8%. Disi më poshtë renditet prania e OSBE-së, e cila gëzon besimin e 34.2% të shqiptarëve.

SPAK ndërkaq, ndër institucionet shqiptare renditet i pari, me besueshmërinë e 32% të qytetarëve shqiptarë.

Pasues është institucioni i Presidentit të Republikës, i cili gëzon besimin e 28.2% të popullatës. Qeveria vjen menjëherë më pas me 27.%, e më tej edhe Policia e Shtetit me 26.7%.

Në terma më të ulët shfaqen qeverisjet vendore, ku për bashkitë, besimi është në termat e një në katër shqiptarëve. E tillë është edhe për përfaqësitë fetare në vend.

Media nga ana tjetër gëzon besimin e 24.9% të shqiptarëve.

Më pas, shumë më ulët, radhiten shoqëria civile me 18.5% dhe gjykatat me 17.2%.

Opozita, vijon të mbetet në terma të ulët besueshmërie, ku vetëm 16% e qytetarëve i besojnë asaj. Parlamentit, vetëm 15.4% dhe partive politike në përgjithësi, edhe më pak, me vetëm 12 në 100 shqiptarë, të cilët besojnë te to.

Performancën e SPAK në tërësi ndërkohë, e vlerësojnë shumë pozitivisht ose pozitivisht 54% e shqiptarëve dhe negative, vetëm 20.4%. Pjesa tjetër qëndrojnë neutralë në vlerësimin e SPAK.

Besueshmëri më të lartë ndërkaq, kanë treguar femrat për SPAK, në krahasim me meshkujt, ku 60.9% e grave dhe vajzave të anketuara janë pozitive për zhvillimin e Prokurorisë së Posaçme.

Ndër të tjera, sipas anketës, Qeveria në tërësi e mbështet punën e SPAK, ku 58.9% shprehen kështu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore