Lajme

Rizvanolli: Marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut në fushën e energjisë shumë të rëndësishme


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës së premte ka treguar për marrëveshjet e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut për fushën e energjisë të cilat janë nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, një ditë më parë.

“Marrëveshja e bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut të cilën e kemi nënshkruar dje, ka të bëjë me fushën e energjisë, qëllimi i kësaj marrëveshje është që të intensifikohet bashkëpunimi në sektorin e energjisë, siç është fjala për energjinë e ripërtërishme, efiçencja e energjisë, siguria e furnizimit dhe investimet në gazin natyror”, ka thënë Rizvanolli.

Ndërsa ka theksuar se sfidë mbetet edhe sistemi energjetikë që ka Kosova.

“Strategjia e energjisë dhe investimit potencial në infrastrukturën të gazit, në këtë sektor ka para shikueshmëri për të gjitha vendet, në Kosovë sfidat janë shumë të mëdha duke marrë parasysh sistemin energjetik të cilën e kemi, dhe asetet e vjetruara”, ka thënë ajo.

Marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i konsideron të rëndësishme.

“Është me rëndësi bashkëpunimi rajonal mes vendeve tona, jo vetëm me Maqedoninë e Veriut, apo me Shqipërinë me të cilën e kemi një bashkëpunim, ne si rajon kemi synime të ngjashme që është dekarbonizimi i sektorit, intensifikimi i burimeve të energjisë dhe integrimi i energjisë etj”.

Rizvanolli gjatë kësaj konferencë për media ka thënë se kohëve të fundit po flitet edhe për gazin amerikan, duhet të qartësohet një gjë, kur flasim për ndërtimin e infrastrukturës, nuk jemi duke folur për gaz amerikan por jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës.

“Në këtë rast opsioni që është më i studiuar është ndërtimi të infrastrukturës së gaz sjellësit i cili do i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka folur rreth ndërtimit të infrastrukturës së gazit natyror dhe ka treguar se kanë pasur keqkuptime në diskutime në publik,

“Ndërtimi i infrastrukturës së gazit është një opsion që është duke u shqyrtuar, sa i përket kësaj çështje, ka shumë keqkuptime dhe diskutime në publik. Ne kemi qenë në bashkëpunim me MCC, për shkak që ka filluar një studim parafizibiliteti, dhe pastaj ka filluar punën në studimin e fizibilitetit gjatë këtij viti, për ndërtimin e infrastrukturë së gazit në Kosovë, dhe ka alokuar një grand prej 200 milionë euro, i cili do të shfrytëzohej për ndërtimin pjesërisht të infrastrukturës”, shtoi ajo.

Rizvanolli ka treguar se nëse ndërtohet ndonjë termocentral më gaz, operatori që operon atë termocentral do mund ta blinte në treg të lirë gazin.

Ndërsa ka bërë të qartë se ka dallim në mes gazit natyror dhe gazit natyror të lëngshëm.

Ajo ka thënë sa i përket orientimeve strategjike janë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë organizatat dhe partnerët ndërkombëtar, si me ambasadën e SHBA-së, ambasadën e Gjermanisë, Zyrën e Bashkimit Evropian etj.

Gjatë ditës së enjte, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, kishin mbajtur seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup.

Seanca në fjalë ishte drejtuar nga nikoqiri i takimit, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, së bashku me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.

Kurti është zotuar se marrëveshjet e nënshkruara të enjten e 16 shtatorit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

Marrëveshja SOBA sipas Kurtit është më e rëndësishmja.

Sipas kësaj marrëveshje rregullohet statusi i Forcave të Sigurisë së Kosovës(FSK) që mundëson hyrjen dhe daljen, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të FSK-së nëpër territorin e Maqedonisë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore