Kosova

Gërvalla: Paqja në Evropë mund të sigurohet vetëm duke ndalur Rusinë dhe Serbinë


“Paqja në Evropë mund të sigurohet vetëm duke ndalur të gjithë së bashku Rusinë dhe Serbinë”, tha në panelin e parë të konferencës “Defence 24 Days”, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

“Çështja më urgjente dhe më sfiduese për sigurinë e vendit tonë janë sot Serbia dhe Rusia, pasi që fantazmat e së kaluarës janë ende gjallë, ata që shkaktuan luftëra dhe gjenocid 25 vjet më parë janë ende aktiv”, shtoi ajo.

Duke diskutuar rreth temës “Siguria Rajonale – Sfidë për Evropën”, kryediplomatja kosovare foli rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, mendësinë e saj të shekullit të kaluar, mungesën e demokracisë dhe pretendimet e saj, të njëjta me të Rusisë jo vetëm për të pushtuar territore të shteteve fqinje, por edhe për të dëbuar qytetarët dhe për të shkatërruar kulturën dhe trashëgiminë e këtyre shteteve.

Sipas njoftimit për media, ajo më pas foli edhe për qeverinë e re të Serbisë duke thënë se Serbia ka emëruar qeveri të luftës, një qeveri e cila përbëhet nga ish-ministrat e Slobodan Millosheviçit dhe të sanksionuarit e SHBA-ve.

“Ka një potencial të madh nëse bashkohemi, nëse jemi të gatshëm të dëgjojmë Poloninë, të dëgjojmë shtetet Baltike dhe Nordike, të dëgjojmë Ballkanin Perëndimor rreth sfidave të vërteta të tyre, përvojave të tyre me fqinjët agresivë dhe duke u bazuar në analizë të shëndoshë, të mirëfilltë dhe në përputhje me realitetin në këto pjesë të Evropës të ndërmarrim veprime të përbashkëta për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore