Kosova

Kurti e quan “hap të rëndësishëm” avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Paralamentare


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-së që ka miratuar rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar e ka quajtur “hap të rëndësishëm”, përkundër fushatës së Serbisë.

“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”.

Teksa, ka shprehur mirënjohje ndaj të gjithëve që dhanë mbështetje për këtë avancim.

“Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social ‘Facebook’.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, derisa falënderoi vendet anëtare që miratuan avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, shtoi se e ardhmja e vendit që udhëheq ajo është në NATO.

Vendimi është mirëpritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën Kosova tash është anëtare e asociuar, nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Tani, anëtare të asocuara janë dhjetë vende, përfshirë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Sa i përket Serbisë, delegacioni serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre të nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, kërkoi nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që të mos e miratojnë rekomandimin e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që Parlamentit të Kosovës t’i jepet statusi i anëtarit të asocuar.

Ndryshe, institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi Partneriteti për Paqe (PfP).

Megjithatë, vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake që ka njohur bota, përfshirë edhe PfP-në që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.

Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore