Kosova

Kosova merr statusin e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë


Ilustrim

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën Kosova tash është anëtare e asociuar, nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Tani, anëtare të asocuara janë dhjetë vende, përfshirë Kosovën, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Sa i përket Serbisë, delegacioni serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes një letre të nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, kërkoi nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që të mos e miratojnë rekomandimin e Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që Parlamentit të Kosovës t’i jepet statusi i anëtarit të asocuar.

Ndryshe, institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi Partneriteti për Paqe (PfP). Megjithatë, vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake që ka njohur bota, përfshirë edhe PfP-në që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.

Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë. Megjithatë, avancimi i statusit së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s është sukses në vete, në 25-vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore