Kosova

Petkoviçi akuzon NATO-n për “standarde të dyfishta” pas avancimit të Kosovës: Serbia dhe Vuçiçi – therrë për fuqitë perëndimore


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, përmes një deklarate të lëshuar për shtyp të hënën, pretendoi se avancimi i pozitës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ekspozoi “politikat e dyfishta” të komunitetit perëndimor, duke pretenduar se “as garancitë e NATO-s nuk vlejnë kur bëhet fjalë për serbët” në Kosovë.

Petkoviçi propagandoi se “terrori” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbështetet hapur nga “fuqitë perëndimore që janë të gatshme të mbyllin sytë para të gjitha mosveprimeve të regjimit në Prishtinë, nëse u përshtaten qëllimeve të tyre gjeopolitike” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Jemi dëshmitarë se sa shumë, sidomos kohët e fundit, ushtrojnë presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç është therrë në këmbë për fuqitë e shumta perëndimore”, shtoi ndër të tjera Petkoviçi në një deklaratë.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, krahu legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të aleancës, miratoi të hënën rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar – një hap shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.

Në favor të avancimit të statusit të Kosovës votuan shumica e vendeve anëtare, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar nga votimi i 27 majit 2024, në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Kosova merr statusin e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore