Shqipëria

Raporti i AMA-s 2023, Krasniqi: Numri i ankesave është rritur, 49 shkelje nga të cilat 1 gjobë


Gjatë vitit 2023 – referuar raportit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) – televizionet kanë abuzuar me reklamat e fshehta, shkeljen etike dhe reklamat për medikamentet.

Këtë të hënë, AMA ka raportuar në Komisionin për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik raportin 1-vjeçar për vitin 2023.

Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s, ka bërë me dije se është bërë monitorimi i 114 rasteve të transmetimeve audio dhe audiovizive, ku janë konstatuar 49 shkelje, nga këto 55 për qind për reklama të fshehta.

“Gjatë 2023-shit ka vijuar monitorimi i përmbajtjeve televizive, ku në fokus kanë qenë mbrojtja e fëmijëve gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit dhe reklamat. Gjatë 2023-shit ekipi i monitorimit ka bërë verifikimin e 114 rasteve të transmetimeve audio dhe audiovizive për përputhshmërinë e tyre në bazë të kërkesave të ligjit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, janë konstatuar 49 raste shkeljes, ku 55 për qind reklama të fshehta, 33 për qind shkelje etike, 10 për qind reklama mbi shëndetin dhe medikamentet.

“Për 49 shkelje autoriteti ka tërhequr vëmendjen për 48 raste, në një rast është vendosur sanksioni me gjobë”.

Krasniqi sakaq është shprehur se numri i ankesave të trajtuara nga Këshilli i Ankesave  për vitin 2023 është rritur me 7.9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ajo ka treguar se janë paralajmëruar me tërheqje vëmendje në 49.2 për qind të rasteve dhe me sanksion financiar gjashtë raste.

“Gjatë 2023-shit kemi pritur dhe trajtuar çdo ankesë të mbërritur. Për 2023-shin numri i ankesave është rritur në nivelin 7.9 për qind nga viti paraardhës. Nga 390 ankesa të shqyrtuara nga Këshilli i Ankesave, 89 për qind e ankesave janë dërguar nga individë. 4.7 për qind nga shoqëria civile dhe 3 për qind nga studio ligjore dhe 2 për qind nga institucione. 59.5 për qind e tyre ishin për shkelje për të drejta të njeriut 16.4 për qind mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve, ndërsa 3. 6 për qind për komunikimet tregtare në median audio dhe audiovizive”.

Sipas saj, në kuadrin e administrimit të ankesave, Këshilli i ankesave u ka kërkuar paraqitje pretendime në 12. 6 për qind të rasteve, ka paralajmëruar me tërheqje vëmendje në 49.2 për qind të rasteve dhe me sanksion financiar në 6 të tilla.

Ndërkohë, Krasniqi ka thënë se prioritet është lufta kundër piraterisë, ndryshimet janë në fazën e konsultimit me publikun.

“Në dhjetor i jemi përgjigjur nevojës për përmirësim të kuadrit ligjor në fuqi me propozimeve të reja ligjore ku lufta kundër piraterisë ka një vend kryesor. Ndër ndryshimet e propozuara janë hedhur për konsultim publik dhe parashikohet që të futet koncepti i piraterisë televizive në ligj dhe ndëshkueshmërisë së saj. Ndryshimet janë bazuar në rekomandimet e Komisionit Evropian dhe janë në fazën e konsultimit publik”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore