Kosova

Serbia i kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin Kosovës: Prishtina s’po e themelon Asociacionin


Delegacioni i Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje të Bullgarisë përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar, derisa si arsyeje është përmendur mos themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërkaq në njoftimin e Parlamentit të Serbisë u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviç ka theksuar se në të njëjtën kohë, pala prishtinase refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe vazhdon të marrë “masa të njëanshme kundërligjore” dhe pas më shumë se 11 vitesh nuk e ka formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nuk i ka përmbushur obligimet tjera.

Jovanoviç shtoi se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vetëm KFOR-i mund të veprojë si forcë e armatosur legale dhe legjitime në territorin e Kosovës dhe se përpjekjet e çdo subjekti tjetër për të kryer këto funksione janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet gjithashtu se deputeti Goran Rakiç, ka pretenduar se serbët në Kosovë çdo ditë përballen me një situatë shumë të vështirë, si dhe se u mohohen të drejtat më elementare të njeriut.

Ai përkujtoi se Prishtina nuk ka përmbushur asnjë nga marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe obligimin për formimin e Asociacionit.

“Nëse nuk formohet Asociacioni do të vihet në pikëpyetje kredibiliteti i BE-së dhe NATO-s”, potencoi Rakiç.

Një ditë më parë, Lord Mark Lancaster, gjatë prezantimit të draft-raportit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në të cilin përmendet Kosova, ka bërë thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa u ka kërkuar aleatëve që për avancim të statutit të Kosovës në Aleancë të konsultohen mes vete.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në partneritetin për paqe”, ka deklaruar ai.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është një institucion e ndarë nga NATO-ja. Megjithatë ajo shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Anëtarët e asocuar kanë të drejtë të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj. Aktualisht nëntë shtete janë anëtare të asocuar, në mesin e tyre dhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Çfarë do të thotë për Kosovën avancimi i statusit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore