Kosova

Çfarë do të thotë për Kosovën avancimi i statusit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s?


Ilustrim

Avancimi eventual i statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, për Gëzim Visokën, profesorin në Universitetin e Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë do të paraqiste thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Veri – Atlantike.

Asambleja Parlamentare e NATO-s me avancimin e statusit të Kosovës, sipas Visokës, do të mbante aspiratat ndërkombëtare të Kosovës të gjalla në njërën anë, si dhe do të dërgonte një mesazh të qartë kundërshtarëve strategjik të NATO-s duke zbutur kështu edhe kundërshtimin e disa vendeve anëtare ndaj shtetësisë së Kosovës në anën tjetër.

“Do të ishte një gjest i matur dhe i menduar mirë”, thotë Visoka për Albanian Post.

Përtej kësaj Kosova, sipas Visokës, mund të përdorë këtë status si shenjë që ka përparim – sado i ngadalshëm – në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

“Kosova, nëse i avancohet statusi, do të ketë qasje në aktivitetet e komiteteve të ndryshme të Asamblesë Parlamentare të NATO-së ku do të mund të përfitojë përvoja të reja, ndërtoj lidhje me vendet anëtare dhe avancoj interesat e sigurisë shtetërore, përfshirë edhe punën dhe performancën e KFOR-it”, shton ai për Albanian Post.

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.

Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.

Ndërkohë Serbia – përsëri – në kundërshtim me neni 4 të Marrëveshjes Bazë po lobon që Kosovës të mos i avancohet statusi në Asamblenë Parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, i ka dërguar letër përfaqësuesve të shteteve anëtare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në letrën e Brnabiç, siç raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, pretendohet se me dhënien e statusit të anëtarit të asociuar Kosova do të shpërblehej për “dhunën ndaj komunitetit serb” si dhe për “zvarritjen e dialogut në Bruksel”.

Brnabiç në letër ndër të tjera ka pretenduar se “Kosova po ushtron diskriminim sistematik dhe të vazhdueshëm ndaj komunitetit serb”.

Ndërkohë anëtarët e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kanë takuar raportuesin për draft-raportin “Ballkani Perëndimor – sfidat e ripërtëritura të sigurisë në derën e NATO-s”, Mark Lancaster në sesionin pranverorë të Asamblesë i cili ka filluar këtë të shtune.

Gjatë takimit, siç raporton Tanjug, anëtarët serbë kanë bërë një sërë komentesh për tekstin e raportit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me statusin e Kosovës në këtë organizatë.

Anëtarët serbë i kanë dorëzuar edhe disa vërejtje e komente Lordit Lancaster, të cilat, ndër të tjera, i referohen nevojës për të mbajtur një qëndrim të paanshëm ndaj Kosovës që do të ishte në përputhje me politikën e deklaruar të NATO-s për këtë çështje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është një institucion e ndarë nga NATO-ja.

Megjithatë ajo shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Anëtarët e asocuar kanë të drejtë të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta.

Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht nëntë shtete janë anëtare të asocuar, në mesin e tyre dhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore