Shqipëria

Rezoluta kundër korrupsionit i duhet vendit për t’u integruar në BE, thotë Rama në Kuvend


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit – ku po prezantohej – rezoluta kundër korrupsionit –  u shpreh se kjo nismë është çfarë i duhet nga ky parlament Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë për të mbështetur anëtarësimin e vendit në BE në 2030.

Rama theksoi se kjo nismë nuk ka të bëjë asgjëkundi me atë çka është përfolur: si marrja nën kontroll e SPAK-ut.

“Ne jemi në luftë me korrupsionin që prej 10 viteve. SPAK ka pasur dje do të ketë mbështetjen pa kushte të kësaj mazhorance”.

Për Ramën, SPAK-u është ilaçi i hidhur që ose e pi ose vdes.

“Dhe që kush e pi njëherë po dhe njëherë jo siç bëni ju të tjerë, jo nuk që nuk ka shans të vetë pastrohet dhe të vazhdojë vetëm përpara, por vetëm zgjat agoninë e vet dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës”.

Ai siguroi se Qeveria është në luftë me korrupsionin që prej 10 vjetësh, prandaj ka ndodhur edhe Reforma në Drejtësi dhe lindja e SPAK.

Sipas tij, lufta e nisur seriozisht kundër korrupsionit është e vërtetë dhe pa kthim.

“Ata që nuk e kuptojnë se pa vizionin tonë nuk do kishte ndodhur asgjë nga këto dhe nuk do kishte asnjë zyrtar përpara drejtësisë, ose nuk duan ta pranojnë se është kthyer rrota e historisë së këtij vendi, ose nuk e kuptojnë  që Shqipëria nuk u bë nga ata por nga ne”, tha kryeministri në fjalën e tij.

Për Ramën kjo e gjitha është luftë për shtet-bërje demokratike.

“Kjo nuk është luftë vulgare për pushtet, por një luftë për institucione demokratike dhe funksionale”.

Në përfundim Rama kishtë një thirrje për opozitën që ta votojë këtë nismë.

“Sa herë që ju kam thënë në këtë sallë kthejuni memories, 10 vjet e kusur mos e bëni këtë e mos e bëni atë, këtë bëjeni, ka dalë siç ju kam thënë”.

Çfarë synon nisma?

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, të hënën e 7 majit ka prezantuar draftrezolutën që do të ndihmojë vendin në rrugëtimin evropian të tij.

Kështu Partia Socialiste ka propozuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian.

“Iniciativa na duhet për Shqipërinë e 2030-s, kur ta ngremë flamurin në Bruksel”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët mes Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Këshillit të Ministrave.

Për këtë Rama i bëri thirrje opozitës që të ulen dhe të punojnë së bashku në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Numri një i Qeverisë tha se duhet të krijojnë një vend punë me BE-SHBA, institucionet e pavarura e botën akademike, për integrimin e vendit në BE.

“Një vend pune të përbashkët me aleatë tanë strategjike, me të gjitha institucionet e pavarura, për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes evropiane të Shqipërisë duke analizuar të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re”.

Sipas Ramës, opozita duhet ta konsiderojë këtë iniciativë si mundësi për të filluar të mendoni se çfarë do të bëni për rrugëtimin drejt BE-së.

Sakaq kryeministri kishte një paralajmërim për socialistët: kush korruptohet nuk ka punë me ne.

Ai theksoi se PS-ja është e vetmja forcë që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush më parë, për t’u vendosur në anën e drejtësisë dhe në dispozicion të drejtësisë.

Prandaj, ministri, deputeti, kryetari i bashkisë, drejtori apo kushdo që flirton me korrupsionin nuk është “i yni dhe nuk ka punë më me ne”.

“Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne”.

Për Ramën këto figura janë tradhtarë të dyfishtë.

“Çdo anëtar i Partisë Socialiste që bën korrupsion është tradhtar i shoqërisë”.

Kryeministri shprehet se, ata që kanë rezultuar të korruptuar kanë qenë një mollë e kalbur dhe se vetëm duhet të vijojnë luftën me drejtësinë.

“Kur dëgjoj që thonë se Rama e ka hedhur si limon të shtrydhur se si duhet më, e kanë gabim. Është një mollë e kalbur që bie vetë”.

Numri një i Qeverisë e bëri të qartë se nuk do të bëhet kurrë mburojë e ndonjë zyrtari socialist të korruptuar dhe që ka probleme me drejtësinë.

“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël kur do të hidhet nga një shkëmb për në det, por nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura”.

Vazhdimisht në deklaratën e tij kryeministri theksoi se: përgjegjësia para ligjit është individuale.

Rama: Kush flirton me korrupsionin nuk ka punë me ne, por me drejtësinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore