Shqipëria

Rama: Kush flirton me korrupsionin nuk ka punë me ne, por me drejtësinë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së përbashkët e të hapur mes Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Kabinetit Qeveritar kishte një paralajmërim për socialistët: kush korruptohet nuk ka punë me ne.

Sipas tij, PS-ja është e vetmja forcë që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush më parë, për t’u vendosur në anën e drejtësisë dhe në dispozicion të drejtësisë.

Prandaj, ministri, deputeti, kryetari i bashkisë, drejtori apo kushdo që flirton me korrupsionin nuk është “i yni dhe nuk ka punë më me ne”.

“Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne”.

Për Ramën këto figura janë tradhtarë të dyfishtë.

“Çdo anëtar i Partisë Socialiste që bën korrupsion është tradhtar i shoqërisë”.

Kryeministri shprehet se, ata që kanë rezultuar të korruptuar kanë qenë një mollë e kalbur dhe se vetëm duhet të vijojnë luftën me drejtësinë.

“Kur dëgjoj që thonë se Rama e ka hedhur si limon të shtrydhur se si duhet më, e kanë gabim. Është një mollë e kalbur që bie vetë”.

Numri një i Qeverisë e bëri të qartë se nuk do të bëhet kurrë mburojë e ndonjë zyrtari socialist të korruptuar dhe që ka probleme me drejtësinë.

“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël kur do të hidhet nga një shkëmb për në det, por nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura”.

Vazhdimisht në deklaratën e tij kryeministri theksoi se: përgjegjësia para ligjit është individuale.

Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, të cilët thonë se ai kontrollon Prokurorinë e Posaçme.

Kreu i Socialistëve tha se “ata janë katandisur si mos më keq dhe se nuk i duhet fare kontrolli i SPAK-ut, as të të mbrojë zyrtarët e tij”.

“E treta kush thotë se e kontrolloj unë SPAK, mirë që nuk ka provë, apo argument, ka një problem më të madh, se nuk ka sesi ta pranojë dhe as ta tolerojë, mendërisht që unë në politikë kam hyrë vetëm për të ndryshuar dhe përmbysur ça të mundem”.

Numri një i Qeverisë tha se procesi i hetimeve në SPAK ka probleme dhe është larg përsosjes, por ai vijon rrugën e tij.

Kjo ndryshe nga Prokuroria e Tiranës, për të cilën Rama kishte kritika.

Sipas tij, në Prokurori “flenë” dosja të kallëzimeve të depozituara nga PS për evazionin fiskal, të ashtuquajturve oligarkë.

“Evazioni fiskal e ka bërë strehë Prokurorinë e Tiranës”.

Sakaq Rama iu përgjigj edhe kritikave të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se kanë rënë referimet nga institucionet shtetërore sa i përket rasteve të korrupsionit.

Kryeministri u shpreh se rënia e referimeve nga administrata ka ardhur si parandalim i rasteve.

Në fjalën e tij hapëse Rama, zgjodhi të krahasojë situatën e vendit para se socialistët të merrnin pushtetin dhe pas kësaj.

Kjo me fokus në luftën kundër korrupsionit dhe krijimit të një shteti ligjor.

Për kryeministrin përballë nesh tashmë ka dy pasqyra të ndryshme të faqes së Shqipërisë.

Rama solli në vëmendje se kur shqiptarët i votuan, vendi ishte në pikën më të ulët, rendi publik ishte përtokë, me qindra vrasje dhe mijëra aksidente.

“Krimi kishte fituar lojën me shtetin, vjedhjet e shtëpive ishte përditshmëri dhe banorët kërkonin siguri”.

Sipas Ramës, asokohe asgjë nuk ishte funksionale, që nga spitalet, universitetet, punësimet e deri të institucionet e drejtësisë.

“Çdo familja shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë se kjo ishte pasqyra e një dekade më parë”.

Ai kujtoi se si protestat kishin mbetur vetëm punë e PS-së.

“Protestuesit e vrarë nga dyert e shtetit trajtoheshin si kriminelë që kishin marrë thjesht atë qe meritonin kurse për drejtësinë vrasjet e ishin gabime teknike”, tha Rama referuar dukshëm ngjarjes së 21 janarit.

Sipas tij, sot pasqyra është krejtësisht tjetër dhe për këtë nuk ka dyshime.

Numri një i Qeverisë shprehet se, Partia Socialiste është në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real, ku sundimi i ligjit të arrijë nivelin e kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Rama thotë se lufta kundër korrupsionit ka nisur me reforma, “kur ne nisëm përpjekjen për reformën në drejtësi”.

“Kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, as pa dështime, as pa zhgënjime. Deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, këtë e thotë hapja e negociatave”.

Kryeministri mendon se nuk do të hapeshin negociatat nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita më natën.

“Askush më parë, asnjë forcë me peshë që prej shkëputjes së Shqipërisë nga perandoria otomane nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik. Askush dhe asnjë”.

Kryeministri ravijëzoi se, “nuk po thotë se ne e kemi mundur korrupsionin, por jemi në mes të një lufte reale me korrupsionin”.

“Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes, drejtësia është e ndarë nga politika”.

“Ne jemi e para parti politike që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur me drejtësinë duke vrarë drejtësinë. Ne jemi çarmatosur”.

Për kryeministrin, shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë të përpjetë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së pa depërtueshme nga korrupsioni dhe këtu nuk bën absolutisht përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por dhe agjencitë e tjera të pavarura përfshirë dhe partitë politike, mediat, shoqërinë civile, biznesin dhe vetë pushtetin gjyqësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore