Lajme

Kurti: Marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut lehtësojnë jetën e qytetarëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Marrëveshjet e nënshkruara të enjten e 16 shtatorit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e parë të dy qeverive, do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Marrëveshja SOBA sipas Kurtit është më e rëndësishmja.

Sipas kësaj marrëveshje rregullohet statusi i Forcave të Sigurisë së Kosovës(FSK) që mundëson hyrjen dhe daljen, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të FSK-së nëpër territorin e Maqedonisë e Veriut.

“Kjo do të jetë e dobishme për të dy shtetet pasi siç kemi parë edhe këtë vit, FSK përtej të qenit partner e aleat i rëndësishëm ushtarak, mund të ndihmojë qytetarët edhe në operacione të shpëtimit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka falënderuar homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev për mikpritjen në Shkup. Ndërsa për mbledhjen e ardhshme të të dy qeverive respektive, Kurti tha se “do ta ketë nderin që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive ta presë në Prishtinë”, Zaev-in.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë aspirata të përbashkëta për në Bashkimin Evropian por edhe në fushën e luftimit të krimit të organizuar.

“Si dy shtete demokratike ne ndajmë aspirata të përbashkëta për integrim në Bashkim Evropian, sikurse ndajmë edhe përkushtimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, padrejtësitë dhe pabarazitë në të dy anët e kufirit. Kjo mbledhje e parë është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intensive të bashkëpunimit të ndërsjellë por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore”.

Në mbledhjen e përbashkët të të dy Qeverive respektive u nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi për mërgatën, turizmin, energjinë, ekonominë, ndërmarrësinë e inovacionin, sigurinë, transportin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore