Kosova

Kryessindikalisti i Policisë pas shkarkimit: Synim për ‘puç’


Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se nga mediat e ka kuptuar se është shkarkuar, derisa ka theksuar se në komunikatën për media të Sindikatës “është e habitshme” se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin e tij.

“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë”, thuhet në reagimin e tij.

“Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?”, ka pyetur ai.

Tutje, Zeqiri ka theksuar se në një proces të rregullt “me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së.”

“Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme. Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj”.

Ndryshe, Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit të saj, Imer Zeqiri, pasi Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar më 10 maj suspendimin e tij, meqë dyshohet se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.

“Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegat të Kuvendit nga gjithsej 73 delegat që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan pro shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri”, thuhet në njoftim për media të sindikatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore