Kosova

Kosova refuzon projektin amerikan për gazin


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë ditës së enjte ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Rizvanolli gjatë një konferncë për media.

Ajo ka thënë se gjatë muajve në vijim “do të vazhdojmë punën e përbashkët intensive me ekipin e MCC-së, në këtë drejtim dhe jemi mirënjohës MCC-së, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”.

Ndërsa, Rizvanolli gjatë një konferencë për media të mbajtur me 17 shtator kishte thënë se kohëve të fundit po flitet edhe për gazin amerikan, duhet të qartësohet një gjë, kur flasim për ndërtimin e infrastrukturës, nuk jemi duke folur për gaz amerikan por jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës.

“Në këtë rast opsioni që është më i studiuar është ndërtimi të infrastrukturës së gaz sjellësit i cili do i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi”, kishte thënë ajo.

Rizvanolli kishte folur rreth ndërtimit të infrastrukturës së gazit natyror.

“Ndërtimi i infrastrukturës së gazit është një opsion që është duke u shqyrtuar, sa i përket kësaj çështje, ka shumë keqkuptime dhe diskutime në publik. Ne kemi qenë në bashkëpunim me MCC, për shkak që ka filluar një studim parafizibiliteti, dhe pastaj ka filluar punën në studimin e fizibilitetit gjatë këtij viti, për ndërtimin e infrastrukturë së gazit në Kosovë, dhe ka alokuar një grand prej 200 milionë euro, i cili do të shfrytëzohej për ndërtimin pjesërisht të infrastrukturës”, kishte thënë ajo.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti, që të sqarohet në lidhje me gazin amerikan.

Haradinaj, ka pyetur Kurtin për vizitën që e kishte në Greqi duke ngritur dilema se ka takuar përfaqësuesit e Gazpromit.

Kryeminitri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish Kryeministri, Ramush Haradinaj

“Po iu pyes Kryeministër Kurti: Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!?”, ka pyetur Haradinaj Kurtin përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Haradinaj ka thënë se “refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Edhe, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas refuzimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për gazin amerikan.

Sipas LDK-së sot Kosova “refuzoi projektin më gjeostrategjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

“Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa këtë veprim të Qeverisë së Kosovës e kanë cilësuar si “një hap të gabuar strategjik dhe një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon”.

“Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore