Shqipëria

Protesta para Bashkisë Tiranë, policia thirrje që të mos kryhen akte dhune


Ashtu siç është paralajmëruar opozita do të zhvillojë sërish një protestë përpara Bashkisë së Tiranës.

E njoftuar për në orën 11:00 deputetët opozitarë së bashku me qytetarët pritet të mblidhen, në atë që ata e quajnë manifestim kundër korrupsionit në zyrat e Bashkisë.

Ndërkaq, Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit tubimit të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Kështu në orën 09:45 e në vijim do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

“Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”.

Policia vë në dukje se “gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thotë se respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

“Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune”.

Uniformat blu njoftojnë se cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe se do të veprojnë gjithnjë me profesionalizëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore