Lajme

Escobari me post të ri javët në vijim


Gabriel Escobar

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), derisa mohoi pretendimet rreth shkarkimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, konfirmoi se diplomati amerikan, i cili aktualisht shërben edbe si Emisar Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, do të marrë post të ri javët në vijim.

Në një përgjigje për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” të hënën, një zëdhënës i DASH-it njoftoi se diplomati që mbulon rajonin nuk është shkarkuar nga pozita, por ashtu sikurse të gjithë diplomatët e karrierës që janë pjesë e shërbimit të jashtëm të SHBA-së, do të marrë post të ri në kuadër të rotacionit të rregullt të posteve diplomatike çdo një deri në katër vjet.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit nuk është shkarkuar nga pozita. Të gjithë diplomatët e karrierës në shërbimin e jashtëm i ndërrojnë detyrat nëpërmjet rotacionit çdo një deri në katër vjet. Escobar ka shërbyer në rolin aktual për tre vjet dhe pritet të kalojë në detyrën e ardhshme gjatë javëve në vijim”, deklaroi një zëdhënës i DASH-it pas pretendimeve të portaleve.

Përgjigja e DASH-it vjen pas aludimeve të një platforme pak të njohur në mjedisin mediatik në Kosovë “Frontliner” nën drejtimin e një gazetari të vetë-identifikuar, Vedat Xhymshiti, i cili pretendoi se Escobari është shkarkuar nga pozita e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor për shkak të “konfliktit të interesit” që komprometon pozicionin e diplomatit si ndërmjetës në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Përkundër pretendimeve të Xhymshitit, bashkëshortja e Escobarit kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe Escobari nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP. Është e papërgjegjshme të botohen gënjeshtra të tilla. Nxisim gazetarët të verifikojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore