Lajme

Iran, shtatë persona të varur në një ditë – dy prej tyre, gra


Irani ka varur të paktën shtatë persona këtë të shtunë të 18 majit, duke përfshirë dy gra.

Kështu Republika Islamike ka intensifikuar më tej përdorimin e dënimit me vdekje.

Këtë e ka bërë me dije OJQ-ja norvegjeze “Iran Human Rights” (IHR).

Parvin Mousavi, 53 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të rritur, u var në burgun e Urmias në Iranin veriperëndimor, së bashku me pesë burra të dënuar në raste të ndryshme të lidhura me drogën.

Në Nishapur, në Iranin lindor, një grua 27-vjeçare e quajtur Fatemeh Abdullahi u var me akuzën për vrasjen e të shoqit, i cili ishte edhe kushëriri i saj.

IHR thotë se ka regjistruar të paktën 223 ekzekutime këtë vit, duke përfshirë të paktën 50 deri më tani vetëm në maj.

Një valë e re filloi pas përfundimit të festave të Vitit të Ri Persian dhe Ramazanit në prill, me 115 persona, përfshirë gjashtë gra, të varur që atëherë.

Irani regjistron më shumë ekzekutime të grave se çdo vend tjetër.

Aktivistët thonë se shumë nga këto të arrestuara janë viktima të martesave të detyruara ose abuzive.

Irani kreu më shumë varje vitin e kaluar se në çdo vit që nga viti 2015, sipas OJQ-ve, të cilat akuzojnë Republikën Islamike për përdorimin e dënimit me vdekje si një mjet për të futur frikën në vazhdën e protestave që shpërthyen në vjeshtën e 2022.

“Heshtja nga ndërkombëtarët është e papranueshme”, tha drejtori i IHR Mahmood Amiry-Moghaddam.

“Njerëzit e ekzekutuar i përkasin grupeve të varfra dhe të margjinalizuara të shoqërisë iraniane dhe nuk kanë pasur gjykime të drejta me një proces të rregullt”.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Ebrahim Raisi bëri thirrje për dhënien e më shumë stimujve për familjet dhe çiftet e reja të martuara si pjesë e përpjekjeve kombëtare për të rritur shkallën e lindjeve.

Ai theksoi se shqetësimet e njerëzve, të cilat i dekurajojnë ata të martohen ose të kenë fëmijë, duke përfshirë problemet ekonomike dhe krizën e strehimit, duhet të lehtësohet.

Raisi paralajmëroi gjithashtu për shkallën e lartë të aborteve në vend, duke bërë thirrje për kontroll më të ashpër.

Aborti është i ndaluar në Iran dhe vitet e fundit është ndaluar edhe furnizimi me kontraceptivë.

Problemet ekonomike dhe sociale në Iran kanë çuar në nivele të ulëta të martesave dhe lindjeve.

Institutet shtetërore thanë se vitin e kaluar është shënuar niveli më i ulët i lindjeve në dhjetë vitet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore