Kosova

Serwer: S’ka kuptim që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionit për t’u anëtarësuar në KiE


Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe vëzhgues i njohur i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një artikull të titulluar “Çfarë të bëhet me Asociacionin?”, ka thënë se nuk ka kuptim që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Mendoj se presioni intensiv do ta bëjë Kosovën të marrë një statut të propozuar për Asociacionin. Por nuk ka kuptim të kushtëzojmë pranimin në Këshillin e Evropës me zbatimin e tij. Anëtarësimi në atë institucion do t’u jepte serbëve në Kosovë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo ofron një forum serioz për zgjidhjen e ankesave të pakicave etnike. Serbia, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të mirëpresin interesin e Kosovës për t’u bashkuar me të”, ka shkruar ai.

Sipas Serwer, përveç presionit ndaj Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kujtojnë Serbisë obligimet e saj sipas marrëveshjes së 2013-ës, derisa ka shtuar se serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

“Beogradi duhet të përfundojë fushatën e tij kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane. Serbia duhet të dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim, si dëshmi se Beogradi e pranon kornizën ligjore të Kosovës. Nuk kam asnjë dyshim, por se Prishtina do ta shikonte Asociacionin ndryshe nëse Beogradi do t’i përmbushte të gjitha këto kushte”, shtoi.

“Për më tepër, biseda në Beograd për krijimin e një ‘bote serbe’ që përfshin popullsinë serbe të vendeve fqinje ka ngritur dyshime. Njerëzit në Kosovë shqetësohen se Serbia po përpiqet të krijojë me Asociacionin një zonë të veçantë, autonome jashtë autoritetit të Prishtinës. Këto dyshime fituan besim kur një propozim i mbështetur nga Beogradi për Asociacionin bëri pikërisht këtë”.

Ai ka potencuar se Beogradi ka dështuar të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes dhe se asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së, derisa ka theksuar se “kjo përfshin përpjekjet e fundit të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore