Lajme

Ahmeti: Ndërhyrja e Kurtit nuk i bën mirë Kosovës – fqinjët duhet t’i ketë aleatë


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një përgjigje për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia Online” të hënën, deklaroi se ndërhyrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, duke mbështetur bllokun opozitar, nuk i bën mirë Kosovës, posaçërisht në aspektin e proceseve integruese.

“Nuk është e mirë sepse Kosovës i duhen miq, në veçanti shtetet fqinje – fqinjët duhet t’i ketë aleatë për proceset e rëndësishme. Maqedonia e Veriut – anëtare në NATO – është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), kurse Kosova sigurisht që është e pikë e dobët, duke filluar nga unë”, deklaroi kreu i BDI-së, kundër të cilit u ngrit kryeministri Kurti.

“As unë nuk jam përfshirë asnjëherë në Kosovë, pavarësisht se të gjithë bashkëluftëtarët i kam të angazhuar në parti politike. As Shqipëria nuk ka anuar asnjëherë në Maqedoninë e Veriut, por kjo varet edhe prej qëndrimeve të njerëzve, prej qëndrimeve të drejtueseve”, nënvizoi ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), derisa komentoi rreth kësaj çështjeje.

E dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë koalicioni Fronti Evropian dhe koalicioni VLEN. Përderisa koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja gëzon mbështetjen e pjesës së madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN mbështetet hapur nga kryeministri i Kosovës, këshillitari i të cilit garon në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore