Shqipëria

Papa Françesku pret në Vatikan Presidentin Begaj, fokus rrugëtimi evropian dhe rajoni


Papa Françesku dhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj janë takuar në Vatikan.

Takimi mes tyre vjen si një kujtesë për persekutimin fetar të të krishterëve nga regjimi komunist dhe përpjekjet e popullit shqiptar për të mbrojtur popullin hebre.

Pas takimit me Papën, Presidenti u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Kryepeshkopin Paul Richard Gallagher.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, diskutimet e zhvilluara në Sekretariatin e Shtetit ishin “të përzemërta”, duke shprehur vlerësimin “për marrëdhëniet pozitive dypalëshe” dhe duke përmendur “disa pyetje të hapura në marrëdhëniet midis Kishës dhe Shtetit”.

“Vëmendja”, theksohet në komunikatë, “më pas u kthye në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe çështje të ndryshme ndërkombëtare, me fokus në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainën”.

Në fund, Papa i dhuroi Presidentit të Shqipërisë një sërë dhuratash, duke përfshirë një skulpturë prej bronzi, vëllime dokumentesh papale dhe mesazhin e tij për paqen për vitin 2024.

Papa Françesku bëri një udhëtim apostolik në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 21 shtator 2014.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Selinë e Shenjtë janë shumë të rëndësishme dhe shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin (1991) përkon me vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë, që solli lirinë për institucionet, edhe ato fetare, dhe riktheu besimin e shqiptarëve.

Këtë vit mbushen 10 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, i cili zgjodhi te vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Evropë pikërisht për Dialogun Ndërfetar midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri dhe për të nderuar martirët e persekutimit të regjimit komunist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore