Shqipëria

Në tre muaj 1.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë, 43,4% më shumë se vitin e kaluar


Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri kanë hyrë më shumë se 1.5 milionë shtetas të huaj.

Çka e ka rritur shifrën me 43,4 për qind, në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar kur vendi u vizitua nga rreth 1 milionë shtetas të huaj.

Vetëm në muajin e kaluar – referuar Institutit të Statistikave (INSTAT) – në territorin shqiptar kanë hyrë 564 mijë e 975 shtetas të huaj.

Ndryshe, 47,1 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

“Në Mars 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 539 mijë e 683 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 14 mijë e 267 dhe 5 mijë e 254 shtetas”, sipas INSTAT.

Ndërkohë objektivi i shpallur nga qeveria për këtë vit është për të pritur 14 milionë shtetas të huaj.

Nga ana tjetër, fluksi i turistëve, po ndikon negativisht te valutat në treg, të cilat vijojnë të zhvlerësohen në raport me lekun.

Banka e Shqipërisë ka bërë me dije se shkaku kryesor për këtë zhvlerësim të valutave janë prurjet valutore nga jashtë, për shkak të numrit të lartë të turistëve.

Sipas bankës, bumi turistik ka bërë që të shtohet sasia e valutës në treg, ndërkohë që kërkesa është e ulët.

Aktualisht një euro po këmbehet me 100.8 lekë, ose rreth 12 për qind më pak se një vit më parë. Kurse dollari ka rënë në vlerën 93.9 lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore