Lajme

Kurti, ambasadorëve të QUINT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë s’duhet të përzihet me anëtarësimin e Kosovës në KiE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kanë zhvilluar takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog nga të cilët ka kërkuar që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Ai ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi s’duhet të përzihen me njëra-tjetrën.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg. Se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”.

“Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti, theksoi se dokumenti i cili ishte ofruar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ishte pranuar më 26 tetor të 2023-së duke sqaruar se neni 7 i Marrëveshjes Bazike s’mund të nxirret nga pakoja e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër.

Prandaj sipas tij  “s’duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër”.

“Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10”.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

“Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore”.

Takimin e fundit me ambasadorët e QUINT-it, Kurti e kishte pasur më 3 prill, ku në këtë takim kishin marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Në këtë takim ishte thënë se e kanë diskutuar në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërsa para këtij takimi Kurti kishte diskutuar me ambasadorët e QUINT-it për çështjen e dinarit.

Ky takim ishte zhvilluar në kuadër të takimeve të rregullta me ambasadorët, në qëllim të informimit, diskutimit dhe koordinimit mbi temat të ndryshme aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore