Shqipëria

Çuçi-Kumbaro për krimet mjedisore: Denonco në “Komisariatin Digjital”, të gjithë do të ndëshkohen


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, pasditen e 15 dhjetorit gjatë një takimi me Policinë e Shtetit dhe asaj Bashkiake kanë deklaruar se, “asnjë nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit nga krimet mjedisore”.

Kumbaro në fjalën e saj bëri thirrje që këto krime – “qoftë edhe një letër e hedhur në tokë” – duhet të ndalen për të shmangur pasojat e mjedisit.

Çuçi bëri me dije se falë aplikacionit “Komisariati Digjital”, nga 40 mijë denoncime, 276 prej tyre lidhen me krimet mjedisore.

Të dy Ministrat shtuan se parandalimi i këtij krimi mbetet prioritet e qeverisë dhe një emergjencë jetike.

“T’i hapim rrugë mbarëvajtjes së mjedisit për veten dhe fëmijët tanë. Bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kemi nisur përgatitjen e një programi për riciklimin e letrës në shkolla dhe në universitete”, vijoi Kumbaro në fjalën e saj.

Për sa i përket “Komisariatit Digjital”, Çuçi ritheksoi se anonimati është i garantuar dhe në butonin “Krimet Mjedisore” janë shtuar pesë rubrika të reja.

“Të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhe ndotje akustike”, ravijëzoi Ministri i Brendshëm.

Kreu i Ministrisë së Brendshme, përmendi punën e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit së bashku me Policinë e Shtetit, të cilët kanë ndëshkuar çdo person që kryen këto krime.

Ndër të tjera Çuçi përmendi një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku specifikohet që brenda një viti janë shkaktuar 91 miliardë dëme në të gjithë botën nga krimet mjedisore.

“Për parandalimin e saj i është kushtuar një vëmendje e veçantë rritjes së ndërgjegjësimit së publikut për të denoncuar këtë krim”, tha Çuçi.

Në përfundim të dy ministrat deklaruan se masat penale shkojnë deri në heqje lirie për krimet mjedisore dhe trajtohen njësoj si vrasjet.

“Pas trafikut të drogës, kontrabandës dhe trafikut të qenieve njerëzore, figura e katërt e veprave penale të shkaktuara në botë janë krimet mjedisore”, e mbylli fjalën e tij Çuçi.

Gjatë dy javëve të fundit Policia e Shtetit ka goditur 57 raste të krimeve mjedisore. Ku janë arrestuar 22 shtetas, proceduar penalisht 32 dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore