Kosova

Nga kundërshtuesi më i madh te i pari që propozon të dërgojë draft për Asociacionin në Kushtetuese


Një nga organizimet e Kryeministrit Albin Kurti, kundër Asociacionit.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe kishte qenë kauza më e madhe kundërshtuese e Albin Kurtit si opozitar, por tani si pushtetar po bëhet personi i parë që ndërmerrë hapa konkret në jetësimin e këtij mekanizmi, i cili nga shumë kush konsiderohet si një problem që do ta “cenojë” rendin unitar të shtetit të Kosovës.

E gjithë kauza e opozitarit Albin Kurti – angazhimi më i madh kundërshtues politik i tij – u shkërmoq në momentin kur ai, në kostumin e Kryeministrit të Kosovës – pozita më e rëndësishme institucionale në Kosovë – pranoi fillimisht draftin e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare për Asociacionin dhe vetëm disa muaj më vonë propozoi edhe shkrim të tij dhe dërgim në Gjykatën Kushtetuese.

Madje këtë – pranimin fillestar të draftit –  e kishte bërë edhe pa e dhënë as më të voglin arsyetim. Në konferencën për media, kur kishte dalur për të folur për këtë çështje, ai vetëm tregonte se si ky draft ishte shkruar në kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës.

Kryeministri nuk kishte folur, e as nuk ishte pyetur, për protestat masive që i kishte organizuar dhe gazin lotsjellës që e kishte hedhur në kuvend si kundërshtim ndaj Asociacionit, për të cilin kishte përzgjedhur që ta quante në gjuhën serbe “Zajednica”, kjo për të treguar dëmin që i kanosej Kosovës në rast zbatimi të këtij mekanizmi.

Sipas Kurtit opozitar, Asociacionin apo “Zajednicën” siç e quante ai, “nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”.

“Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën”, thoshte Kurti opozitar në një intervistë për “KTV”.

Ndërsa, disa muaj më pas, në kohën kur Kosova u kushtëzua që për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit, përsëri Kurti doli me ide që përbënë diçka që deri më tani askush nuk e ka bërë: propozimi për shkrim dhe dërgim të një drafti për këtë mekanizëm në Gjykatën Kushtetuese.

Çka ndodhi?

Pak ditë pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim dhe kështu e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

Madje, për këtë veprim, nga ekzekutivi kanë thënë se kanë pasur koordinim të plotë me Presidenten Vjosa Osmani, për t’u demantuar vetëm pak orë më pas nga zyra e presidentes, të cilët bënë të ditur se e para e vendit nuk ka qenë e konsultuar fare për këtë çështje.

Përveç kësaj, edhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, konkretisht Franca, Gjermania dhe Italia këtë propozim të ekzekutivit kosovar e kanë refuzuar, derisa kanë bërë të ditur se hapë konkretë është dërgimi në Kushtetuese i draftit evropian që ishte pranuar në parim nga Kurti në tetor të vitit të kaluar.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore