Shqipëria

Megaoperacioni i SPAK: Goditen 7 grupe kriminale, 50 urdhër-arreste dhe 4.5 milionë euro të sekuestruara


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë më një njoftim zyrtar sa i takon megaoperacionit të zhvilluar dy ditët e fundit.

Kështu SPAK shkruan se ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga shtatë grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje  gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.

SPAK në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.

Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakordësuar me Europol më datë 17 maj zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion.

U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.

Aty përfshihen: 996 mijë e 760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500 mijë Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500 mijë Euro) dhe sisteme vrojtimi kamerash dhe tavolinë pokeri.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg”, për 50 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale.

Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona),  Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2).

Zbardhja e krimeve të dyshuara.

Gjatë hetimeve është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit SH.K., ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit P.GJ. dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit D.B., e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit E.M., e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit D.B, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit P.GJ., gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, L.D dhe A.G, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve F.H. dhe A.H., gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit E.M, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit A.N., gjatë vitit 2021;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.M. dhe T.XH., gjatë vitit 2021;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast shitje bimësh narkotike canabis sativa, dhe trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast dhënie ndihmë për kalim të pa ligjshëm të kufijve, në vitin 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në Republikën e Shqipërisë;

Identifikimi i autorëve të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë viteve 2019-2020;

Identifikimi i autorëve të mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve, për disa raste kriminale, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të një rasti të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorit të një rasti të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike;

Identifikimi i autorit të një rasti të shpërdorimit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike;

Identifikimi i autorëve të një rasti të goditjes ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;

Akuzat dhe funksionimi i bandave

SPAK thotë se këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë.

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale.

Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M (Ervis Martinaj), i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N (Arben Ndokaj).

Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale  kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit.

SPAK zbardh skemën: Grupi i Ervis Martinajt aleancë me Arben Ndokën dhe Emiljano Shullazin për të eliminuar Durim Bamin

Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë  edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B (Durim Bami)etj.

E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B.

Po kështu E.SH., (Emiliano Shullazi) siguron informacione për lëvizjet e D. B. (Durim Bami) Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N. (Arben Ndoka).

Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi D. B., i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit E.M. dhe A.N.

Grupi kriminal i drejtuar nga D.B., (Durim Bami) bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., (Ervid Martinaj) dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe F.H., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e E.M. dhe A.N. dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore