Shqipëria

Vijojnë arrestimet për krimet mjedisore


Në vijim të punës për goditjen e krimeve mjedisore, mesditën e 12 nëntorit është vënë në pranga një 39-vjeçar nga Policia e Fierit.

Përkatësisht, shtetasi S. T., është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në kodrat e fshatit Zharrëz, Patos, duke gërmuar dhe shpërdoruar tokën për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Ky veprim, sipas policisë, ka sjellë prishjen e strukturës së tokës.

39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.

Në cilësinë e provës materiale, policia i ka sekuestruar dy mjete gërmuesi ekskavator dhe një kamion.

Këto të fundit i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera policia apeloi për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Në përfundim ka ftuar qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore