Shqipëria

SPAK zbardh aleancat mes bandave: Nga Martinaj te klani Duka, dhuna e egër karakteristikë e tyre


Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.

Kështu shkruan Prokuroria e Posaçme (SPAK) në njoftimin e saj sa i takon një aksioni të fundit – i cilësuar si më goditësi ndaj bandave në vitet e fundit.

Vrasës me pagesë, anëtarë të bandave, ish-figura politike, efektivë dhe ish-efektivë të lartë policie. Të gjithë të shënjestruar nga operacioni i gjerë i SPAK, i kryer në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust dhe me autoritetet ligjzbatuese të Holandës, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës e Greqisë.

Shtatë grupet e goditura – sipas SPAK – ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre.

Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

Të gjithë bandat u çmontuan pas informacioneve të siguruara nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat, të cilët dikur u ofronin organizatave kriminale komunikim të sigurtë dhe mbrojtur.

Në operacionin e drejtuar nga SPAK – zgjati për rreth 20 orë – u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë operacion.

U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.

SPAK zbardh skemën: Grupi i Ervis Martinajt aleancë me Arben Ndokën dhe Emiljano Shullazin për të eliminuar Durim Bamin

Gjithashtu u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro, përfshirë gati 1 milionë euro në para cash, orë me vlerë rreth gjysmë milion euro apo gjysmë milion euro të tjera automjete.

Nga njoftimi i SPAK kuptohet se konfliktet kanë lindur në lidhje me kontrollin e territorit në kultivimin dhe trafikun e drogës dhe industrinë e bixhozit.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Grupet kriminale të drejtuar prej Martinajt dhe Ndokës, dyshohet se kanë rekrutuar vrasës me pagesë në Fushë-Krujë dhe Burrel.

Një prej shënjestrave të tyre është Durim Bami, një tjetër eksponent i rëndësishëm i botës së krimit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bami dhe grupi i dyshuar kriminal i Fushë-Krujës krijuan një aleancë me një grup tjetër kriminal të njohur si vëllezërit Duka nga Shijaku.

Synimi ishte vrasja e kundërshtarëve.

SPAK zbardh skemën: Grupi i Ervis Martinajt aleancë me Arben Ndokën dhe Emiljano Shullazin për të eliminuar Durim Bamin

Nga ana tjetër kundërshtarët e Bamit u bashkuan me  Emiljano Shullazin (i burgosur tashmë).

Ai bashkoi forcat me Martinajn, Ndokën dhe një pjesë të Avdylajve për të tentuar vrasjen e Durim Bamit.

Më tej, hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi.

Ai me qëllim hakmarrjen ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini.

Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, i cili i jepte informacione në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore