Kosova

Hovenier viziton në Leposaviq ushtarët amerikanë të KFOR-it


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është takuar me ushtarët amerikanë të dislokuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, në kampin Notting Hill në komunën e Leposaviqit.

Sipas njoftimit për media të KFOR-it, Hovenier është shoqëruar nga Komandanti Jason Baker, i cili e ka informuar atë për kontributin e SHBA-së në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore