Shqipëria

Mbi 16 mijë fluturime janë menaxhuar nga Albcontrol në gjysmën e majit


Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot në një postim në rrjetet sociale shifrat e trafikut ajror të menaxhuar nga Albcontrol.

Shifrat i referohen periudhës 1-15 maj 2024.

“Në Rinas janë kryer 1 mijë e 493 ulje të avionëve, 1 mijë e 495 ngritje të avionëve, ndërsa 13 mijë e 54 kanë qenë mbikalime në qiellin shqiptar. Në total janë 16 mijë e 42 fluturime”, shkruan Balluku.

Shqipëria ka arritur një tjetër rekord të trafikut ajror të pasagjerëve, ku së fundmi sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI), vendi ka pasur rritjen më të madhe botërore krahasuar me vitin para-pandemik 2019.

Përkatësisht, trafiku ajror në vend ka shënuar një rritje eksponenciale me 233.3%, nëse krahasohet marsi 2024 me marsin 2019.

Kjo është edhe rritja më e madhe në botë për një aeroport, ku pas ndjek Uzbekistani.

Me vendet e rajonit ndërkaq nuk ka krahasime, ku të gjithë shtetet fqinje me Shqipërinë ndalen në më së shumti 69.7% rritje që ka Kosova.

Kur, shtete të tjera si Serbia (46.9%), Bosnjë dhe Hercegovina (22.1%), Mali i Zi (21.9%), apo Maqedonia e Veriut (18.8%), mbeten shumë pas.

Edhe krahasuar me fqinjët jugorë të Greqisë, është e pallogaritshme rritja që ka Shqipëria, pasi trafiku ajror në Greqi është rritur me vetëm 19.6%, nëse llogaritet periudha e marsit 2024, në krahasim me marsin 2019.

Në vitin 2023, aeroporti i Tiranës trajtoi 7.26 milionë pasagjerë, 40% më shumë se një vit më parë, tha më herët operatori i aeroportit.

Operatori i aeroportit tashmë po punon për zgjerimin e aeroportit në disa drejtime për të akomoduar një numër më të madh të pasagjerëve sidomos gjatë verës, tha Et’hemaj.

Shqipëria kapërceu 10 milionë turistë të huaj deri në fund të vitit 2023, një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022, sipas një deklarate të mëparshme të ministrisë së turizmit. Shqipëria kishte një popullsi prej rreth 2.7 milionë banorë që nga fillimi i vitit 2023, tha zyra e statistikave.

Shefqet Kastrati, CEO i operatorit të aeroportit Kastrati Group, tha në nëntor se kompania është vetëm në gjysmë të rrugës së investimit të planifikuar prej 100 milionë euro (108 milionë dollarë) në aeroport.

Në tetor, operatori i aeroportit zbuloi planet e zgjerimit për të krijuar kapacitet për një bazë të re të mundshme për kompaninë irlandeze me kosto të ulët Ryanair, e cila filloi të përdorë aeroportin e Tiranës vitin e kaluar.

Parashikimi i ACI-së

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

ACI ka publikuar edhe përditësimin e tij të parë dyvjeçar të kërkesës për udhëtime ajrore të vitit 2024, duke tërhequr të dhëna nga mbi 2 mijë e 600 aeroporte në më shumë se 180 vende dhe territore në mbarë botën.

Trafiku global i pasagjerëve në vitin 2024 parashikohet të kapërcejë nivelin e 2019-s për herë të parë që nga COVID-19, duke arritur në 9.7 miliardë pasagjerë ose 106% të nivelit të 2019-ës (12% norma e rritjes vjetore).

Norma e rritjes pritet të ngadalësohet gradualisht në vitet në vijim, pasi më shumë tregje rikuperohen nga efektet e COVID-19.

Faktorët makroekonomikë, si inflacioni i lartë global, ngadalësimi i PBB-së globale, nivelet pesimiste të besimit të biznesit dhe konfliktet gjeopolitike paraqesin rreziqe dhe pasiguri të konsiderueshme në parashikimet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore