Kosova

Komandanti i KFOR-it: Ngjarjet e vitit të kaluar në Kosovë cenuan sigurinë e rajonit


Ozkan Ulutas

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, ka thënë se ngjarjet e ndodhura vitin e kaluar në Veri të Kosovës kanë cenuar situatën e sigurisë në rajon, prandaj edhe janë shtuar trupat ushtarake në kuadër të misionit paqeruajtës.

Këto komente, Ulutas i ka bërë gjatë një aktiviteti të organizuar nga Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, ku ka theksuar se për shkak të tensionimit të situatës NATO ka dërguar 1 mijë trupa shtesë në Kosovë.

Sa i përket batalionit turk në kuadër të KFOR-it, ai ka potencuar se ushtarët e Turqisë që kanë ardhur në kuadër të forcave shtesë, janë duke dhënë kontribut në mënyrë profesionale.

“Siç e dini, batalioni ynë komando nga Turqia po shërben në fushën e operacioneve si njësi rezervë. Në rastin e batalionit tonë turk, ushtarët tanë po japin një kontribut që do të bëjë ndryshimin këtu në një mënyrë profesionale, shumë të trajnuar. Kjo na jep besim”, pohoi Komandanti i KFOR-it.

Ndryshe, vitin e kaluar në Veri të Kosovës ka mbizotëruar një situatë tejet e tensionuar – më e madhja që nga pas lufta – si protestat e dhunshme të serbëve lokalë, që si pasojë e tyre mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Tensionet kulmuan me sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, më në krye kriminelin Milan Radojiçiç, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i varër rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore