Trepça është skuadra e tretë që kualifikohet në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës në basketboll, pas Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit.
Ekipi mitrovicas e mposhti Rahovecin me rezultat të thellë 82:66.
Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kishin epërsi deri në tetë pikë, por në fund të çerekut të parë, rahovecasit me një seri të suksesshme ngushtuan shifrat në 25:22, sa përfundoi kjo pjesë.
Por, shkëputja e madhe e ‘Xehetarëve’ u bë në periudhën e dytë, ku ishin bindshëm më të mirë dhe lejuan ‘Vreshtarët’ të shënojnë vetëm shtatë pikë për dhjetë minuta, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 51:29.
Megjithatë, skuadra nga Rahoveci nuk u dorëzua dhe ishin më të mirë në periodën e tretë, për të tentuar përmbysjen e madhe, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 66:52.
Në dhjetë minutat e fundit, u zhvillua lojë kryesisht e barabartë, me Vreshtarët që synonin rikthimin dhe mitrovicasit që ruajtën epërsinë dhe triumfuan 82:66, ndërsa në gjysmëfinale e presin fituesin e ndeshjes Peja-Bashkimi.
Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 19 pikë e shtatë kërcime dhe Erjon Kastrati me 15 pikë e shtatë asistime, kurse te Rahoveci më i miri ishte Jahi Carson me 20 pikë e pesë asistime.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Dekarbonizimi i ndërmarrjeve energjetike të BP-së: Plane ambicioze por fleksibël, me fokus në investime dhe teknologji të reja
-
Arrestohet IT i Gjykatës së Korçës, kancelarinë e ktheu në bazë prodhimi të dokumenteve false
-
Varshava do të shpenzojë 2.3 miliardë për të forcuar kufirin e saj me Ukrainën
-
Kurti s’po guxon ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese, thotë Haziri