Kosova

Kurti s’po guxon ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese, thotë Haziri


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka guxim që draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Një kryeministër që nuk guxon ta dërgojë vendimin e vet në Gjykatë Kushtetuese, nuk mund ta dërgojë, nuk guxon. Nuk po guxon një vendim të Qeverisë ta dërgojë në Gjykatë, të ia besoj burrave dhe grave që janë niveli më i lartë i drejtësisë që lidhet me kushtetutën”, tha Haziri në konferencë për media.

Ndryshe, Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore