Lajme

Studentët e UP-së kërkojnë largimin e objektit ilegal të Kishës Ortodokse serbe


Pankartat e studentëve të Universitetit të Prishtinës

Pankartat “Objekt i ngritur nga kriminelët”, “Stop nxitjes së urrejtjes”, “Jo shenja krimi në kampus”, e “Krimet e Millosheviqit dhe Arkanit nuk i falë askush”, dhe fotografi që tregojnë gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, janë vendosur nga studentët në objektin pa jele të Kishës Ortodokse serbe, në oborrin e Universitetit të Prishtinës pas liturgjisë që u mbajt të enjten aty.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor deklaruan se objekti i kishës në kampusin universitar është objekt i trashëgimisë së kriminelit Millosheviq dhe Arkanit dhe simbol i gjenocidit të kryer në Kosovës.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Erblin Hoxha, tha se duhet të largohet nga kampusi i Universitetit të Prishtinës ose të shpallet muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës.

“Ky objekt duhet të trajtohet si çdo objekt tjetër ilegal dhe të largohet nga kampusi universitar në pajtim me ligjin. Kërkojmë nga organet tona të rendit të mos lejojnë e as të japin leje kriminelëve të organizojnë provokime të tilla të fshehura nën petkun e liturgjisë, sepse janë të shtyra nga urrejtja dhe jo nga besimi”.

Por, Hoxha thotë se “Si studentë apelojmë tek institucionet e Republikës së Kosovës ose largojeni objektin ilegal dhe mos lejoni provokime nga askush në kampusin tonë ose shpalleni muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare”, tha ai.

Ai u shpreh se nga institucionet e Kosovës kërkojnë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit.

“Ky objekt nuk është kishë, por objekt trashëgimie e kriminelit Millosheviq dhe Arkanit, ky objekt është simbol iu fashizmit dhe gjenocidit të kryer në Kosovë. Ne përfaqësuesit e studentëve e kundërshtojmë edhe objektin ilegal edhe liturgjinë që përpiqet që ta rikthej memorien për ekzistencën e kësaj trashëgimie kriminale”, është shprehur Hoxha.

Kundër mbajtjes së liturgjisë në objektin e kishës ortodokse aksion ka mbajtur edhe Partia Socialdemokrate me mbishkrimin “simboli i shovinizmit”, në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Në këtë objekt fetar, i cili gjendet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, kjo është hera e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare që nga viti 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, kishte thënë Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore