Lajme

PSD: Simboli i shovinizmit bëhet faltore: E bekoi Albin Kurti


“Simboli i shovinizmit bëhet faltore: E bekoi Albin Kurti” është mbishkrimi të cilin aktivistë të Partisë Socialiste të Kosovës (PSD) shkruan nëpër muret e objektit pa leje të Kishës Ortodokse serbe në Prishtinë.

Zgjim Hyseni nga PSD-ja tha se është absurde se si në mes të ditës e para syve të institucioneve të mbahet liturgji fetare, kur nuk është informuar askush nga përgjegjësit.

Hysheni ka shtuar se ky objekt rrezikon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë.

“Dje në këtë objekt u mbajt një liturgji kishtare. Në mes të ditës, në mes të Prishtinës, para hundëve të krejt institucioneve, simbolin e shovinizmit duan ta bëjnë faltore. Jemi këtu për një deklaratë: simboli i shovinizmit nuk mund të jetë shtëpi e zotit”.

Sipas tij, nëse nuk kanë pasur informacion institucionet atëherë Kosova është krejt e pasigurtë nën udhëheqjen e tyre.

“Nuk e kemi ditur, tha ministri i Kulturës. Nëse është kështu, atëherë ky është një dështim i madh. Ministri i Brendshëm duhet të jap dorëheqje, AKI duhet të përgjigjet gjithashtu. Kosova qenka krejt e pasigurtë nën udhëheqjen e tyre”.

 

Në këtë objekt fetar, i cili gjendet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës, kjo është hera e parë pas luftës në Kosovë, që mbahet një liturgji fetare që nga viti 1998.

“Për herë të parë sot, ne po festojmë lavdinë në këtë tempull madhështor, por të papërfunduar, që paraardhësit tanë na lanë me detyrën për të shërbyer këtu, duke iu lutur Zotit dhe duke e përfunduar atë”, kishte thënë Peshkopi Teodosije.

Kjo kishë kishte nisur të ndërtohej në vitin 1992, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit, por deri në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, nuk arriti të përfundohej.

Kisha Ortodokse serbe mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillim të muajit qershor të vitit 2015.

E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha “Shpëtimtari i Krishtit”, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.

Pas luftës, Kisha Ortodokse Serbe ka tentuar në disa raste ta funksionalizojë, së fundi më 2016, por nuk është lejuar nga Komuna e Prishtinës, pasi u kërkua dokumentacioni për objektin.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore