Lajme

Tre monumente të Skënderbeut në Kalabri, Begaj: Simbol për të gjithë shqiptarët


Tre monumente të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, iu shtuan sot komunave arbëreshe në Kalabri; San Sofia, San Basile dhe Zangarona.

Pothuajse në çdo qendër te fshatrave arbëreshe ngrihet busti i Heroit Kombëtar si simbol që mban gjallë identitetin arbëror.

Në këtë kontekst, ceremonia e sotme e inaugurimit të busteve në të tre komunat bëri bashkë me Presidenti e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj,  banorët arbëreshë, autoritetet lokale, shqiptarë të Shqipërisë të ikur pas viteve ’90 si edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Presidenti, i cili i dhuroi arbëreshëve dy buste, shprehu falënderim ndaj pjesëmarrësve duke përshëndetur në veçanti të rinjtë dhe fëmijët të pranishëm në këtë festë kombëtare.

“Kam ardhur të mbaj fjalën  që ju dhashë tetorin e kaluar, sepse për ne shqiptarët, fjala e dhënë nuk është mit, por realitet”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë ceremonisë inauguruese të bustit të Skënderbeut.

“Është vizita e dytë në Kalabri dhe kjo vizitë më mbush me krenari për faktin që të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, prefektet e këtyre komuave dhe e gjithë media janë intersuar dhe kanë promovuar gjithçka në lidhje me Arbërin”.

Ai siguroi që projekti Arbëria dhe Shqipëria, tashmë edhe Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi, do të kenë një bazë të shëndetshme për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre.

“Këto marrëdhënie nuk do të ishin në këtë ditë sot dhe nuk do të zhvilloheshin nëse ju 6 shekuj me parë do të kishit haruar nga vinit, prandaj është momenti t’ju them: faleminderit  të gjithëve ju, secilit një e nga një, dhe të gjitha komunave arbëreshe për çfarë keni bërë për të ruajtur gjuhën arbëreshe, çfarë keni bërë për të transmetuar identitetin tonë kombëtar me veshje, traditat dhe kulturën tonë”.

Kreu i Shtetit theksoi se do të vijojë të japë ndihmën e tij, frymëzuar nga modeli i arbëreshëve i vlerësimit dhe promovimit të historisë aq të rëndësishme për ruajtjen e identitetit përballë sfidave te kohës.

“Arbëreshët vërtet ikën nga vendlindja e tyre, po erdhën këtu në vendlindjen e re ne Itali. Erdhën këtu dhe ruajtën e mbajtën me vete gjuhën, veshjet, kulturën, traditën, këngën dhe vallen, morën me vete kujtimin e tyre për Skënderbeun, identitetin e tyre kombëtar. Nga sot Skënderbeu në këtë shesh nuk do të jetë më një kujtim, por do të jetë gjithmonë një jetesë së bashku me ju.  Çdo ditë ju do të shikoni monumentin e tij kaq të lartësuar në këtë vepër kaq të realizuar”, u shpreh Begaj.

Duke vlerësuar figurën e Skënderbeut, si strateg të përbashkimit që përcaktoi të ardhmen e popullit tonë drejt Evropës, Begaj tha se edhe sot ai është simbol për të gjithë shqiptarët kudo janë, në atdhe apo Diasporë.

Ndërkohë në San Basile, ceremonia u shoqërua dhe me një ekspozitë  fotografike të artistit, Vlasov Sulaj, mbi rrugëtimin nga Shqipëria në Kalabri të monumentit të punuar nga skulptori Ardian Pepa.

Nga Zangarona, pas inaugurimit të bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Kreu i Shtetit ftoi të rinjtë arbëreshë të shndërrohen në ambasadorë të vlerave historike, kulturore, identitare të Arbërisë.

“Dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të jeni ambasadorë të vlerave tuaja. Përdorni çdo mjet që keni në dispozicion, nga teknologjia, deri te mediat sociale, për të treguar historinë tuaj unike dhe për të ndikuar pozitivisht në komunitetin tuaj e më gjerë. Jini krenarë për atë që jeni dhe atë që përfaqësoni”.

Presidenti Begaj shpallet ‘Qytetar Nderi’ i arbëreshëve të Kalabrisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore